Hetuesit e Policisë së Kosovës para tre javësh kanë ngritur kallëzim penal kundër ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Kallëzimi penal kundër tij është dorëzuar në Prokurorinë Speciale treguan burime të KOHËS dhe thanë se pas hetimit preliminar të nisur muaj më parë, dyshimet janë që Berishaj ka përfituar së paku 1.5 milionë euro nga kompania GEN me seli në Serbi për periudhën 2019 e deri në prillin e vitit 2022.
Sipas këtyre burimeve, këto para janë transferuar në xhirollogari të kompanisë së Berishajt në një nga bankat me seli në Kosovë. Transferet janë bërë me përshkrim si pagesa për konsulencë.
Burimet brenda hetuesisë kanë deklaruar që Berishaj ka përfituar në periudha të ndryshme këto shuma parash – disa herë nga dy herë muaj. Shumat e transfereve janë nga 20 mijë e deri në 70 mijë euro. Sipas këtyre burimeve, çdo herë pas transferit këto para janë tërhequr nga ambasadori Berishaj.
Pretendohet që për paratë që i janë paguar gjatë kësaj kohe, kompania e Berishajt është dashur t’i paguajë tatimet në vlerë të 73 mijë eurove, por që sipas tyre nuk janë bërë.
Përveç kësaj, sipas burimeve, hetuesia në Kosovë ka kërkuar raport financiar edhe nga Mali i Zi. Kjo kërkesë është përcjellë përmes Njësisë së Inteligjencës Financiare që është në kuadër të Ministrisë së Financave.
Në përgjigjen që sipas burimeve në hetuesi i është kthyer Kosovës nga autoritetet e Malit të Zi është që xhirollogarisë së kompanisë së Berishajt i janë transferuar 1.5 milionë euro po ashtu nga GEN-i. Por sipas këtij burimi, në dokumentin e pranuar nga Mali i Zi është e dhënë vetëm shuma dhe jo periudhat kur janë transferuar këto para.
KOHA është duke provuar të kontaktojë avokatin e Berishajt, dhe versionin potencial të tij do t’ia bashkëngjitë këtij teksti.