Arbëri

Interpretohet si ndërhyrje në drejtësi deklarata e Rashiqit se plagosja në Shtërpcë ishte e qëllimshme

Nenad Rashiq

Ka nxitur reagim deklarata e të hënës e ministrit për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, rreth plagosjes së dy të rinjve serbë në Shtërpcë.

Në Qeverinë e Kosovës, të martën nuk e kanë komentuar pretendimin e Rashiqit në një intervistë për “Nova.rs”, se plagosja ka qenë e qëllimshme dhe ka pasur motive etnike.

“Unë udhëhiqem nga ajo që shkruhet në aktakuzë, se është tentativë për vrasje dhe kështu do të mbetet. Ajo që nuk është mjaft e qartë është gjuajtja e tij e dytë. Edhe para kësaj ka qëlluar në ajër. Nuk kam asnjë dyshim se i ka qëlluar fëmijët me dashje dhe se është tentativë për vrasje. Ajo që zbulova gjithashtu ishte se autori kishte një histori të kryerjes së disa deklaratave të papërshtatshme”, tha Rashiq.

Në Zyrën e Kryeministrit nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me rastin. E kryeministri Albin Kurti, në një adresim për media, i është shmangur përgjigjes, duke u përqendruar te rasti i javës së shkuar.

“Drejtësia nuk është akt, drejtësia është proces dhe ne duhet t’ia japim shansin asaj. Ishim me shumë fat që nuk ka pasur të vdekur atë ditë, pra, në këtë fatkeqësi kishim fat dhe tash duhet ta lëmë sistemi e drejtësisë që të ndriçojë thellë këtë rast dhe ta bëjë vlerësimin e drejtë, sepse Republika e Kosovës është vendi i cili është kampion në Ballkanin Perëndimor sa i përket sundimit të ligjit dhe vendin e dytë në botë sa i përket përmirësimit në sundim të ligjit. Besoj që të gjithë ne pa dallim do të duhej të presim vlerësimet e sistemit të drejtësisë”, tha Kurti.

Përgjigje rreth çështjes, KOHA nuk ka marrë as nga ministri Rashiq dhe as nga ministria që e drejton. Por njohësit e drejtësisë dhe të punës së Qeverisë, deklaratën e interpretuan si ndërhyrje në drejtësi.

Ehat Miftaraj, drejtor në Institutin e Kosovës për Drejtësi, thotë se proceset gjyqësore në asnjë rrethanë nuk duhet të komentohen nga politikanët.

“Sikur të ishte ky rasti i parë atëherë sigurisht më e pakta që mund të pritej do të ishte vet dorëheqja apo shkarkimi i të njëjtit. Por në një qeveri, ku ky është bërë si standard, komentimi i vendimeve gjyqësore, atëherë edhe pritjet janë shumë të vogla që mund të vije deri te dorëheqja apo shkarkimi”, tha Miftaraj.

Drejtoresha e Lëvizjes Fol, Mexhide Demolli, thotë se për deklarata publike të politikanëve duhet të ketë ndëshkime, ani se e shprehu bindjen që veprime për rastin e Rashiqit nuk do të ndërmerren nga Qeveria.

“Deklarata e ministrit Rashiq definitivisht është ndërhyrje në sistemin e pavarur të drejtësisë, e që fatkeqësisht ndërhyrje të tilla nga kjo qeveri kemi parë në shumë raste. Ministrit Rashiq nuk i takon që në këtë rast edhe ashtu të ndjeshëm të marrë rolin e policit e prokurorit po duhet të kryej detyrat për të cilat edhe është i thirrur. Fatkeqësisht deklaratat publike të politikanëve vazhdojnë të mos ndëshkohen tek ne”, tha Demolli.

Rashiq u pat emëruar ministër për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës në fillim të dhjetorit, pas dorëheqjes së Goran Rakiqit nga posti.

Lidhur me plagosjen e dy të rinjve serbë në fshatin Gotovushë, të dielën është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj një pjesëtari të FSK-së.