Arbëri

Prokuroria ende s’i ka intervistuar dëshmitarët për plagosjen në Shtërpcë

Arma me dy karikatorë e 35 fishekë i është sekuestruar të dyshuarit për plagosjen e dy të rinjve në Shtërpcë. Derisa Prokuroria është ende në fazë të identifikimit e intervistimit të dëshmitarëve, mbrojtja insiston se rasti ka ngjarë në vetëmbrojtje. Ndryshimin e deklaratës së nënës të njërit prej të plagosurve mbrojtja e sheh të ndikuar politikisht

Tri ditë nga rasti Prokuroria e Ferizajt është ende në fazën e identifikimit të dëshmitarëve të plagosjes së dy të rinjve në fshatin Gotovushë të Shtërpcës.

Kryeprokurori Shukri Jashari i ka thënë KOHËS se hetimet janë duke vazhduar.

“Ende nuk janë intervistuar dëshmitarët e rastit. Hetuesit janë duke punuar në identifikimin dhe intervistimin e tyre. Po ashtu, dëshmia e familjarëve të viktimave nuk është marrë ende zyrtarisht”, ka thënë Jashari.

Dy të rinjtë serbë, 11 dhe 21 vjeç, dyshohet se janë plagosur nga pjesëtari i Forcës së Sigurisë të Kosovës derisa ishte duke shkuar në drejtim të Qendrës së Skijimit.

Në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, e cila është aprovuar të dielën nga Gjykata Themelore në Ferizaj, thuhet se të dyshuarit A.K. i janë sekuestruar dy karikatorë e 35 fishekë.

“Me rastin e kontrollit të kryer nga ana e Policisë së Kosovës, arma së bashku me dy karikatorë dhe 35 fishekë i sekuestrohet”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari fillimisht ka shtënë pesë herë në ajër në Brezovicë, e më pas edhe në hyrje të fshatit Gotovushë.

“Me të arritur në hyrje të fshatit, vëren disa qytetarë në skaj të rrugës dhe me qëllim që t`i largojë, i njëjti i bie borisë, në pamundësi që të lëvizë tutje, e ndal veturën dhe pas një mosmarrëveshjeje verbale të ndodhur aty për aty, e nxjerr revolen dhe shtënë dy herë duke i goditur të dëmtuarit”, thuhet në kërkesë.

Në bazë të kërkesës, tashmë të aprovuar, i dyshuari “ka tentuar që të arratiset nga organet e ndjekjes”.

Me pretendimet e Prokurorisë nuk pajtohet mbrojtja. Avokati Kujtim Kërveshi ka thënë se veprimet nga i dyshuari janë bërë për vetëmbrojtje.

“I mbrojturi jonë ka hasur në grup të qytetarëve të cilët kanë poseduar mjete të forta, ne besojmë se aty kanë qenë dhjetëra të tillë të cilët e kanë rrezikuar sigurinë e tij. Ne besojmë se i mbrojturi jonë nuk ka pasur mundësi ta shmangë rrezikun nga vetja, pos të shtijë në ajër dhe në tokë për ta larguar këtë rrezik të atëqasshëm dhe real ndaj tij”, është shprehur Kërveshi.

Sipas Kërveshit, rasti është duke u provuar të ngarkohet me motive etnike.

“Ndryshimi i deklaratës së nënës së një nga viktimat e supozuara paraqet gur themelin e argumentimit tonë si mbrojtje duke theksuar se rasti është kontaminuar politikisht. Nga një deklarim që bëri kjo zonjë në kohën kur informacionet ishin më të freskëta, e ndryshoi atë, besojmë ne, me qëllim që t`u përshtatet interesave politike të Republikës së Serbisë. Rasti nuk ka fare të bëjë me motive etnike e as nuk ka të bëjë me ndonjë vepër penale pos me vetëmbrojtje”, ka theksuar Kërveshi.

Plagosja e dy të rinjve është dënuar nga krerë të institucioneve në vend e ndërkombëtarë, derisa është përshëndetur reagimi i Policisë në arrestimin e të dyshuarit. Të dielën, Gjykata Themelore në Ferizaj atij ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.