Arbëri

Kuvendi me pajisje të prishura, votat e deputetëve nuk regjistrohen askund

Pajisjet e vjetra e të prishura të Kuvendit të Kosovës tash e 2 vjet e kanë pamundësuar votimin elektronik të deputetëve. Si rrjedhojë, administrata e Kuvendit regjistron vetëm rezultatin e përgjithshëm të votimit dhe jo votat e deputetëve veç e veç. Kjo përveç zvarritjes së seancave me votim me dorë, sipas monitoruesve të punës së Kuvendit, e cenon edhe transparencën dhe llogaridhënien e deputetëve karshi qytetarëve. Për blerjen e pajisjeve, për vitin e ardhshëm janë ndarë 350 mijë euro

Votat e deputetëve pro ose kundër projektligjeve nuk publikohen askund.

Madje, evidencë të votimit të deputetëve, qe një kohë nuk mban as Kuvendi, si shkak i mosfunksionimit të pajisjeve të vjetra të votimit elektronik. Sipas Kuvendit, ato kanë dalë tërësisht nga funksionimi më 2020.

Mospublikimi i të dhënave të votimit të deputetëve, sipas monitoruesve të punës së Kuvendit, cenon transparencën dhe llogaridhënien ndaj publikut, gjë që është përmendur edhe në Raportin për Kosovën të Komisionit Evropian për këtë vit.

“Mendoj që kjo shkakton dëme në kuptim të pamundësisë së njohjes me vullnetin e deputetëve, në formën qysh manifestohet në raport me projektligje dhe me iniciativa ligjore të ndryshme. Në këtë kuptim qytetari mbase nuk e ka shumë të qartë votën e deputetit përfaqësues të tij në iniciativa, të cilat, përveç se e prekin jetën e tij, ka edhe interesim shumë për të”, ka thënë Arbër Thaçi nga KDI-ja.

Përveç jotransparencës, nga Kuvendi, në një përgjigje për KOHËN thonë se mënyra e votimit me dorë po ndikon edhe në zgjatjen e seancave.

“Amortizimi ka ndikuar kryesisht në defunksionalizimin e sistemit të votimit elektronik, duke shkaktuar zgjatje të seancave, si pasojë e numërimit të votimit me dorë. Kjo ka pamundësuar gjithashtu publikimin e pasqyrës së procesit të votimit të deputetit, për çdo vendimmarrje. Aktualisht regjistrohet vetëm rezultati i votimit, i konstatuar nga kryesuesi i seancës”, thuhet në përgjigjen e Kuvendit të Kosovës.

E kjo po u sjell vështirësi edhe deputetëve.

“Jam për dy mandate deputete e Kuvendit të Kosovës dhe asnjëherë nuk kam votuar me pajisje për arsye se nuk janë duke funksionuar. Do të ishte më mirë të votohej me pajisje për arsye të transparencës sepse aty do të dalin emrat”, ka thënë deputetja Rrezarta Krasniqi.

Votat e deputetëve i numëron administrata, gjë që rrezikon shpesh të nxjerrë rezultate të pasakta.

E, zgjidhjen e problemit me pajisjet, Kuvendi nuk e ka pasur prioritet, meqë për rregullimin apo blerjen e tyre ka llogaritur më shumë në donacione.

“Janë ndërmarrë disa iniciativa nga Kuvendi. Po ashtu kemi pasur deklarime për mbështetje nga organizata partnere, të cilat fatkeqësisht, për arsye të panjohura për ne, nuk e kanë konkretizuar mbështetjen e deklaruar”, thuhet në përgjigjen e Kuvendit.

Pajisjet për votim elektronik të Kuvendit janë 18 vjet të vjetra dhe për to nuk ekziston mundësia e riparimit.

Me buxhetin e vitit të ardhshëm janë ndarë 350 mijë euro për sigurimin e sistemit digjital konferencial të integruar për përkrahje audio-vizuele dhe për krijimin e sistemit të integruar të sinjalistikës digjitale.