Arbëri

NATO-ja thotë se s’ka kërkesë zyrtare nga Kosova për shtim kapacitetesh

Qeveria e Kosovës e sheh rritjen e mundshme të pranisë së ushtarëve të KFOR-it në Kosovë si kontribut për sigurinë dhe paqen në vend e rajon. Megjithatë, sipas NATO-s, një kërkesë zyrtare për shtim kapacitetesh nuk është bërë ende nga Qeveria e Kosovës.

Të enjten, Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), u shpreh për REL-in se ka kapacitetet e nevojshme për të ofruar siguri dhe lëvizje të lirë për të gjithë qytetarët në Kosovë, duke shtuar se s’ka pranuar kërkesë zyrtare nga Kosova për shtim të numrit të trupave në misionin e saj, KFOR.

“KFOR-i mbetet plotësisht i aftë për të përmbushur misionin në përputhje me mandatin e tij të Kombeve të Bashkuara”, ka thënë zyrtari i NATO-s.

Ditë më parë, në një intervistë për mediumin gjerman “Welt”, qe kryeministri Albin Kurti ai që u shpreh se rritja e numrit të trupave paqeruajtëse në Kosovë do të përmirësonte sigurinë. Në një përgjigje për KOHËN, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se prania shtesë e NATO-s në Kosovë do të sprapste planet e Serbisë dhe Rusisë për Ballkanin Perëndimor.

Ai megjithatë, s’ka pranuar të komentojë nëse kërkesa është bërë në formë zyrtare.

“Në intervistën me gazetën gjermane ‘Welt’, kryeministri Kurti ka folur për situatën e krijuar pas ngritjes së 16 barrikadave në katër komunat në veri të vendit nga grupe kriminale atje, përfshirjes së personave me lidhje direkte apo indirekte me ‘Wagner’ dhe ‘Ujqit e Natës’ dhe deklaratave kërcënuese të Serbisë. Në këtë kontekst, ai ka theksuar se rritja e prezencës së ushtarëve të KFOR-it në Kosovë do të kontribuonte në sigurinë dhe paqen këtu në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor si dhe do të ishte mundësi e mirë për rritje e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovë përmes trajnimeve dhe ushtrimeve të përbashkëta. Po ashtu, prania shtesë e NATO-s në Kosovë spraps planet e errëta Beograd-Moskë për Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Kryeziu.

Ai ka shtuar se Qeveria dhe institucionet e sigurisë kanë takime të rregullta me përfaqësues të NATO-s, me të cilët diskutohet për nevojat e të dy palëve dhe format e bashkëpunimit.

Situata në veri të Kosovës u tensionua muajin e kaluar pas arrestimit të ish-policit Dejan Pantiq, nën dyshimet se ka sulmuar zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe të Komisionit Zgjedhor. Pas arrestimit të Pantiqit, serbët lokalë të veriut ngritën barrikada në rrugët që çojnë për në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat lidhin Kosovën me Serbinë.

Pavarësisht thirrjeve të shumta të faktorit ndërkombëtar për tërheqje, numri i barrikadave për tri javë vetëm shkonte duke u shtuar. Gjatë kësaj kohe, ka pasur edhe kërcënime nga Beogradi zyrtar për kthim të ushtrisë serbe në Kosovë.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i ka dërguar kërkesë zyrtare KFOR-it për lejimin të futjes deri në 1000 trupa serbe brenda territorit të Kosovës, por nuk ka marrë përgjigje.

Tensionet u ulën me ndryshimin e masës ligjore për Pantiqin, i cili kaloi nga paraburgimi në arrest shtëpiak.