Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka mohuar se në drejtim të saj kanë ardhur njoftime për tërheqje të njohjes së pavarësisë së Kosovës, pas pretendimeve të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të mërkurën u shpreh se 9 shtete kanë tërhequr njohjen e Kosovës dhe se po pritet edhe e dhjeta.
Sipas Vuçiqit, Somalia, Burkina Faso, Gaboni, Eswatini, Libia, Guinea, Barbuda, Santa Lucia dhe Maldivet kanë tërhequr njohjen e Kosovës. Megjithatë, MPJD-ja ka thënë se deri tash s’ka asnjë njoftim në drejtim të institucioneve të Kosovës rreth pretendimeve të Vuçiqit. Ka thënë se pretendimi s’është vërtetuar as pas bisedave me përfaqësues të këtyre shteteve.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, njofton që nuk ka ASNJË njoftim në MPJD dhe as në misionet e Republikës së Kosovës, rreth pretendimeve të djeshme të presidentit serb se disa shtete paskan tërhequr njohjen. Një pretendim i tillë nuk është vërtetuar as pas bisedave personale me përfaqësues në nivele të ndryshme të këtyre shteteve, por as pas konsultimit me partnerët e rëndësishëm të vendit tonë”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
MPJD-ja ka thënë se “Çështjet e hapura mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë zgjidhen me dialog dhe jo me kampanja destruktive mediale”.
Kjo ministri ka bërë thirrje që Serbia të heqë dorë urgjentisht “nga sulmet agresive ndaj Kosovës dhe sovranitetit të saj dhe t’i kthehet tryezës së negociatave me në qendër njohjen e ndërsjellë”.
Në uebfaqen e MPJD-së janë 117 shtete të cilat kanë njohur pavarësinë e Kosovës.