Me ardhjen e Olaf Scholzit në krye të Gjermanisë, ka filluar një dinamikë e re në dialogun Kosovë-Serbi. E, gjatë vitit është kthyer në katalizator të kësaj dinamike, jo veç duke e angazhuar një nga këshilltarët e tij në proces, por edhe nëpërmjet një propozimi të ri për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse.
Scholz në jo pak raste ka insistuar se Ballkani Perëndimor e ka vendin në Bashkimin Evropian dhe ka thënë se Gjermania po avokon që të integrohet më shpejt rajoni.
Një vit më parë Scholzi e pasoi Angela Merkelin në krye të koalicionit trepartiak që bashkonte SPD-në, të Gjelbrit dhe FDP-në. Fitorja spikati ambiciet reformiste, veçanërisht në fushat e energjisë dhe transicionit digjital.
Një vit më vonë, të dhënat tregojnë se Scholzi ka kryer punë, edhe nëse nuk korrespondojnë me atë që ishte imagjinuar. Si anëtar i partisë me kulturë pacifiste, e cila mbrojti vazhdimisht marrëdhëniet e mira me Moskën, Scholzi i habiti të gjithë kur njoftoi tri ditë pasi Rusia nisi luftën në Ukrainë, se Gjermania do të krijonte fond special prej 100 miliardë eurosh për mbrojtjen, me ambicien për të pasur ushtrinë e parë konvencionale në Evropë.