Arbëri

Kurti: S’ka pasur marrëveshje të fshehtë për heqjen e barrikadave, s’ka garanci për Asociacionin

Kryeministri, Albin Kurti, ka thënë se s’ka pasur asnjë marrëveshje të fshehtë me Serbinë për largimin e barrikadave në veri. Ai ka deklaruar se garancia e vetme që ua kanë dhënë ndërkombëtarëve ka qenë se s’ka lista për arrestime në veri. Kreu qeveritar e ka mohuar kategorikisht se ka dhënë garanci për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai ka thënë se për shtensionimin e situatës në veri ka pasur takime vetëm me KFOR-in, EULEX-in dhe ambasadorët e QUNIT-it, veçmas atë amerikan. Siç ka deklaruar ai, ditët e fundit ka pasur angazhim të shtuar të tyre për largimin e barrikadave, pasi Policia e Kosovës ka treguar vendosmërinë për t’i larguar ato.

“Nuk ka pasur kurrfarë marrëveshje të fshehtë. Ka pasur takime me KFOR-in dhe ka pasur takime me EULEX dhe ka pasur takime me ambasadorët e QUINT-it, në veçanti me atë të SHBA-së. Meqë rast ne vazhdimisht kemi thënë se durimi i qytetarëve dhe qeverisë po shteron, andaj ne japim ca më shumë kohë dhe ca më shumë hapësirë KFOR-it, por kjo nuk mund të jetë e pafundme. Por gjithashtu, nga takimet që kemi pasur kemi filluar të vërejmë angazhimin e tyre të shtuar drejt largimit të atyre barrikadave, andaj në ditën e diel e patëm thënë se është çështje ditësh se kur do të largoheshin këto barrikada. Nëse nuk do të largoheshin nga KFOR-i atëherë do të detyrohej Policia e Kosovës ta bënte këtë. Ajo mua më ka bindur drejtpërdrejtë kur i kam vizatuar se e ka jo vetëm vullnetin por edhe kapacitetet për largim efikas të atyre barrikadave”, ka thënë Kurti në një intervistë për KosovaPress.

Kurti ka thënë se është bërë mirë që barrikadat i hoqën vet, sesa të detyrohej ta bënte Policia e Kosovës.

“Ne i kemi dhënë më shumë kohë KFOR-it, pasi nga informacionet që merrnim u bë e qartë se në veri të Kosovës filluan të qarkullojnë njerëzit që ose ishin drejtpërdrejtë të inkuadruar ose kishin lidhje me mercenarët e Wagnerit, pastaj me formacionin paramilitarë ‘Ujqërit e Natës’ dhe të njëjtën kohë ata përdornin taktika që i përngjajnë ato të vitit 2014 në Ukrainë...Këto barrikada nuk ka qenë aq shumë barrikada kundër qeverisë, sa për bindjen time kanë qenë kundër pluralizmit politik në komunitetin serb në Kosovë. Kanë qenë barrikada kundër Nenad Rashiq dhe Rada Trajkoviq, mbase më shumë sesa barrikada kundër Albin Kurtit...Arsye tjetër është edhe territorializimi i brendshëm i Kosovës, ku një pjesë të territorit e kontrollon Beogradi. Kjo për ne ka qenë është dhe do të jetë e papranueshme. Kosova ndodhet në binarët e zhvillimit, progresit dhe të demokracisë. Kjo është e pandalshme, por nervozë në Beograd, i shndërruar ndonjëherë edhe në panik, prodhon ndonjëherë edhe barrikada në veri. Të cilat shumë më mirë që po hoqën kështu vetë prej atyre që bllokuan vetën, sesa këtë të detyrohej të bënte Policia e Kosovës”, ka shtuar ai.

Sipas tij, garancia e vetme që u është dhënë ndërkombëtarëve ka qenë që s’ka lista për arrestime. Siç ka deklaruar Kurti, garancia të tjera për institucionet e Kosovës janë Kushtetuta, rendi dhe ligji, por edhe koordinimi me aleatët ndërkombëtar.

Ai ka mohuar se ka dhënë garanci për themelimin e Asociacionit të komunave serbe. Kurti ka deklaruar se ata që bënë “asociacion të barrikadave’ po kërkojnë asociacion të komunave, që komunat t’i duan si barrikada dhe të njëjtat t’i bëjnë bashkë.

“Nuk ka garanci të tilla nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Për neve është shumë e qartë se asociacioni i komunave u bë asociacioni i barrikadave. Ky është asociacion i barrikadave. Pra ata të cilët e bënë asociacionin e barrikadave, po kërkojnë asociacion të komunave. Me fjalë të tjera ata i duan komunat si barrikada dhe dëshirojnë t'i bëjnë bashkë. Ashtu siç i bënë 16 barrikada bashkë, dëshirojnë t’i bëjnë dhjetë komuna bashkë në një asociacion. Me këtë mendësi që nuk distancohet as nga e kaluara pra Millosheviqi dhe as nga e tashmja e tyre, pra Putini, nuk mund të bëhet fjalë për garanci të tilla. Ne jemi për të drejtat e serbëve në Kosovë, jemi për të krijuar mundësi për gjithë ata”, ka theksuar Kurti.

Sipas tij, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq por edhe Rusia i përdorin barrikadat si mjete politike për dialogun Kosovë-Serbi.

Sa i përket kritikave që presidenti serb, Aleksandër Vuçiq nga Rashka po merr vendime për çështjen e barrikadave, Kurti ka thënë se Lista Serbe vazhdimisht ka shkuar në Serbi për konsultime politike.

Në lidhje me polarizimet me sistemin e drejtësisë pas lirimit të masës së sigurisë të ish-policit serb të arrestuar për terrorizëm, Kurti ka thënë se nuk ka menduar se dikush i akuzuar për terrorizëm të dërgohet në arrest shtëpiak.

“Unë jam brengosur shumë për gjendjen shëndetësore të të paraburgosurit Pantiq, një gjë që jam marrë edhe personalisht, sidomos kur morra vesh që ndodhet në grevë urie dhe është në moshën 56 vjeçare dhe ka probleme me zemër, meqenëse kishte edhe stenda. Unë e kam menduar që prokurori dhe gjykatësi i procedurës paraprake do të dërgojnë në spital diku. Por meqenëse ishte i akuzuar për terrorizëm nuk e kam menduar që do të dërgohet në arrest shtëpiak. Por ai është një dimension i veçantë dhe i pavarur prej qeverisë në shtetin tonë”, ka thënë ai.

Të enjten u hoqën barrikadat në veri, pasi bllokuan për 20 ditë rrugët që çonin në pikëkalimet kufitare me Serbinë. Lirimi i rrugëve u bë pasi ish-polici Dejan Pantiq u lirua nga paraburgimi për t’u dërguar në arrest shtëpiak. Pantiq dyshohet për sulm ndaj Policisë dhe Komisioneve Komunale Zgjedhore në veri. Pas arrestimit të tij në javën e dytë të dhjetorit, serbët lokalë patën nisur t’i vendosin bllokadat./KP