Administrata Tatimore e Kosovës gjatë periudhës janar-dhjetor të këtij viti ka realizuar të hyra tatimore mbi 720 milionë euro.
Në krahasim me planin ka një rritje të të hyrave për 5.1 milionë euro apo 0.7 për qind.
Zv. drejtori ekzekutiv i ATK-së, Ilir Murtezaj në konferencën e fundit për këtë vit për media, duke prezantuar rezultatet e aktiviteteve të zhvilluara për periudhën janar-dhjetor 2022, tha se në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ka një rritje të të hyrave tatimore për 119 milionë euro apo 19.9 për qind.
Derisa, sipas tij kontributet pensionale kanë arrit 236.6 milionë euro dhe së bashku me tatimet, Murtezaj theksoi se kjo shifër arrin 953.3 milionë euro.
“Ajo që ka ndikuar në ngritjen e të hyrave, është rritja e inkasimit të borxheve, fuqizimi i kontrollit të brendshëm, rritja e efikasitetit, digjitalizimi i shërbimeve ndaj tatimpaguesve, shërbimet profesionale, rritja e transparencës, rritja e bashkëpunimit me institucioneve vendore dhe ndërkombëtare”, tha ai.
Murtezaj ka ftuar të gjithë qytetarët që të raportojnë në ATK për çdo parregullsi për evazion fiskal.
Drejtori i ATK-së konfirmoi se janë prezentë edhe në katër komunat veriore, por shtoi se mbledhja e tatimeve natyrisht që është sfiduese sikur në aspektin e përgjithshëm politik.
“Mbledhja e tatimeve sfiduese është në të gjitha rajonet, sepse nuk është një proces i lehtë, por synimi ynë është që vazhdimisht ne t’i paraprijmë procesit të mbledhjes së tatimeve, duke informuar e edukuar tatimpaguesit për procesin e pagesës së tatimeve. Në këtë rast edhe pjesa veriore është njëra prej pjesëve që ATK ka prezencën e saj. Pretendon që të mbledhë pjesën e tatimeve që bizneset në atë pjesë realizojnë aktivitet fitimprurës nga aktivitetet e tyre ekonomike. Kështu që dua të konfirmoj se ka tatimpagues të konsiderueshëm edhe nga ajo pjesë që vazhdojnë të jenë pjesë kontribuuese e mbushjes së buxhetit të shtetit. Se a është në masën e duhur? Sigurisht që është sfidë sikur për shumë aspekte, jo vetëm për mbledhjen e tatimeve. Sepse pjesa veriore është sfidë për të gjithë”, theksoi Murtezaj.
Ai ka shtuar se ajo që ka ndikuar në ngritjen e të hyrave, është edhe rritja e inkasimit të borxheve, fuqizimi i kontrollit të brendshëm, rritja e efikasitetit dhe digjitalizimi i shërbimeve ndaj tatimpaguesve.
Murtezaj ka ftuar të gjithë qytetarët që të raportojnë në ATK për çdo parregullsi për evazion fiskal./KSP