Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deklaroi se ndryshimi i masës për ish-policin serb, Dejan Pantiq, nga masa e paraburgimit në arrest shtëpiak, është veprim i rëndë, që sipas saj, tregon situatën e rënduar brenda sistemit të drejtësisë.
Ajo tha të mërkurën në “Sonte me Rronin” se institucionet e drejtësisë si Prokuroria Speciale dhe Gjykata Themelore, kanë zgjedhur të jenë krah i grupeve kriminale.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“E kam konsideruar si një akt të rëndë për faktin se në vend që institucionet e drejtësisë si Prokuroria Speciale dhe Gjykata, të mbrojnë rendin kushtetues, por edhe qytetarët, kanë zgjedhur që të jenë krah grupeve kriminale. T’i amnistojnë grupet kriminale dhe terroriste e t'i inkurajojnë ata. Kur grupet kriminale terroriste në veri e vendit tonë, që udhëhiqen nga Vuçiqi, shohin vendime të tilla të institucioneve të drejtësisë, atëherë këto veprime janë inkurajim që ata të vazhdojnë me veprimet e rënda që shkelin rendin kushtetues”, deklaroi Haxhiu.
Sipas ministres së Drejtësisë, deklarimet e saj për këtë rast nuk përbëjnë ndërhyrje në drejtësi pasi “po bëhet fjalë për vepër penale që lidhet me terrorizmin”.
“Ne s'kemi pasur ëndrra që pa u bërë reforma në drejtësi do të çlirohet sistemi i drejtësisë, por të marrësh vendime të tilla, sigurisht që të njëjtat janë në papranueshme për Qeverinë, sikur edhe për të gjithë qytetarët, pasi sot kam parë reagime të shumta nga qytetarët, mediat dhe akterë të tjerë, ndaj vendimit në Republikën e Kosovës. Ngjashëm si tërheqja e urdhër-arrestit për kriminelin Milan Radojçiq”, tha ajo.
Sipas Haxhiut, reformat në drejtësi do të mundësojnë që prokurorët dhe gjyqtarët të kenë integritet të lartë profesional, moral dhe të mos ndikohen “nga kërkesat e askujt”.
E pyetur nëse në rastin e Pantiqit pati ndërhyrje nga ndërkombëtarët, Haxhiu u shpreh se nuk ka informacione të tilla, derisa shtoi se nëse ka, do të bëhen publike.
“Nuk mund të besoj se ka pasur ndërhyrje nga ndërkombëtarët. Nëse kemi informacione, do t'i bëjmë publike, por më tepër, kjo ndërhyrje po më duket si tendencë për t'u amnistuar vetë sistemi në kuptimin se ‘më kanë thënë ambasadorët’. Mendoj se ky vendim është marrë nga sistemi i drejtësisë, ndërhyrjet që bëhen nuk shihen. Në histori mbetën nënshkrimet e prokurorëve dhe të gjyqtarëve për kërkesa të tilla që janë të rrezikshme për vendin”, theksoi ministrja.
Haxhiu: Për një vit kryhet procesi i vlerësimit të integritetit në sistemin e drejtësisë
Ministrja e Drejtësisë, Abulena Haxhiu, në “Sonte me Rronin” në KTV ka treguar si është menduar të shkojë procesi i vetingut në sistemin e drejtësisë dhe ku ka arritur deri tash.
Haxhiu ka thënë se ideja fillestare ka qenë që të bëhet veting si në Shqipëri, ndërkohë shtoi se ndërkombëtarët kanë qenë kundër këtij procesi.
“Jo, pavarësisht se ndërkombëtarët në fillim kanë qenë kundër këtij procesi, madje dhe tash me versionin që e kemi, por tash e kemi opinionin e Venecias dhe tash ata pajtohen që duhet të zbatohen rekomandimet e Komisionit të Venecias, aso kohe madje e kam përshtypjen që edhe në grupet punuese e kishin shumë vështirë që të jenë të pranishëm. Përveç ekspertëve që na ndihmonin ta përmbyllnim këtë proces, refuzonin të ishin edhe në grupe punuese, e refuzonin vetingun në sistemin e drejtësisë, bazuar në atë çfarë ka ndodhur në Shqipëri që 60% e njerëzve kanë dalë jashtë sistemit. Pavarësisht kësaj, ka qenë zotim zgjedhor dhe duhet të punojë në bazë të zotimeve”, tha ajo.
Tutje Haxhiu ka treguar se si në mars Komisioni i Venecias nuk e kishte pranuar versionin e Qeverisë për vetingun dhe në qershor kishte marrë një opinion më pozitiv nga Venecia që të bëhet vetingu për KGJK-në, KPK-në, kryeprokurorët dhe kryetarët e gjykatave.
Haxhiu ka thënë se pret që në gjashtë muajt e parë të vitit të ardhshëm dokumenti për vetingun të votohet në Kuvend, ndërkohë shtoi se për një vit mund të bëhet procesi i vlerësimit të integritetit.
“Dosjen e vetingut e kemi dorëzuar te kryekuvendari. Kuvendi e ka formuar komisionin adhoc. Gjashtë muaj i kanë në dispozicion, mund ta kryejnë më herët e pastaj të votohet në Kuvend projektligji. Gjashtëmujori i parë i vitit 2023 është vendimtar për këtë dhe do duhej të votohej. Çështjen pak sfiduese që e kemi është se amandamentet kushtetuese kryetari i kuvendit duhet t’i dërgojë në Gjykatë Kushtetuese nëse ato janë në linjë me kapitullin 2 të të drejtave të njeriut dhe kur vlerëson, ne vazhdojmë me votim”.
“Ne kemi paraparë një vit që të bëhet komplet procesi i vlerësimit të integritetit. Së pari formohet komisioni që e kemi quajtur autoriteti kalimtar i vlerësimit të integritetit, pastaj nisë me radhë nga KGJK, KPK, aty janë panelet dhe pastaj vlerësohet integriteti moral, pasuria e një gjyqtari, prokurori, varësisht institucionit”.
Haxhiu: Pas gjysmës së dytë të 2023-tës zgjidhen drejtori dhe stafi i Byrosë
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se të paktën deri në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm nuk do të fillojë puna në Byronë për Konfiskimin e Pasurisë.
E ftuar të mërkurën në emisionin “Sonte me Rronin”, Haxhiu ka thënë se në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2023 do të punohet për zgjedhjen e drejtorit dhe stafit të saj.
“Në gjashtëmujorin e dytë do të fillojë zgjedhja e drejtorit dhe stafit e pastaj të fillojë zbatimi”, ka thënë ajo.
Haxhiu ka thënë se rekomandimet e Venecias në lidhje me krijimin e kësaj byroje nuk janë obligative, por se kanë interes t’i zbatojnë ato.
Ajo tha se qëllimi i kësaj byroje është të merret me dokumente dhe fakte dhe jo me persona të caktuar.
“Është tentuar që në forma të ndryshme të njolloset nisma jonë për konceptin e konfiskimit civil, çështja është që nuk do të merret me emra të përveçëm, por me dokumente dhe me fakte pavarësisht kush është personi. Në momentin që ka dyshime se një person ka fituar pasuri të pajustifikueshme, me atë person do të merret pavarësisht kush është”, ka shtuar ajo.
Haxhiu njoftoi se zyrtarët e byrosë do të kenë status të veçantë dhe paga më të larta për shkak të statusin sepse, sipas saj, puna që do ta bëjnë është më e ndjeshme.
“Bashkë me kryeministrin e kemi diskutuar secilën nevojë që do ta ketë ky institucion që t’i ketë të gjitha kapacitetet, madje në Ligjin për Zyrtarët Publikë që mendoj se është një nga ligjet më të duhura në situatën që gjendemi me administratën publike, kemi paraparë që zyrtarët e byrosë të kenë status të veçantë dhe natyrisht edhe paga më të larta për shkak të statusit të veçantë për shkak të ndjeshmërisë së punës që do ta bëjnë. Edhe mund të jenë të kërcënuar, edhe të rrezikuar, edhe nën presion. Çfarëdo nevoje që do ta ketë ky institucion, ne do ta drejtojmë”, ka thënë ajo.
Ministrja e Drejtësisë beson se në fillim të vitit të ardhshëm do të procedohet në Kuvend, Projektkodi civil.
“Unë e konsideroj shumë të rëndësishëm dhe besoj se në fillim të vitit të ardhshëm edhe do ta procedojmë në Kuvendin e Kosovës. Arsyeja pse nuk e kemi proceduar është se nuk kemi dashur që ta marrim përgjigjen e njëjtë nga Kuvendi i Kosovës, prandaj interesi ynë është që ta kalojmë prandaj na duhet pak kohë që të jemi të sigurt që i njëjti të kalojë”, ka thënë ajo.