Arbëri

Gjoshi: Veriu vendi më i pakontrolluar në Evropë, institucionet t’i largojnë barrikadat

Betim Gjoshi - PDK

Sekretari organizativ i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Betim Gjoshi, ka thënë se situata në veri çdo ditë është duke u përkeqësuar.

Ai të martën në emisionin “60 Minuta” të KTV-së, ka thënë se është parë që Qeveria nuk ka pasur një plan për zgjidhje të problemit në veri.

Sipas tij aktualisht veriu i Kosovës është vendi më i pakontrolluar në Evropë.

“Është më shumë se 10 vite kthim i situatës prapa ... sot e kemi një situatë tjetër, qytetarëve u janë shtyrë edhe zgjedhjet deri në prill dhe nuk po shohim ndonjë hap që të përmirësohet situata. Çdo ditë kemi më pak prezencë të shtetit të Kosovës. Ndoshta veriu është vendi më i pakontrolluar në Evropë”, është shprehur Gjoshi.

Ai ka thënë se situata aktuale është e papranueshme.

“Ne vazhdimisht i kemi bërë thirrje Qeverisë që t’i largojë barrikadat, mos të bëhen barrikadat si diçka normale për Kosovën. Ne e pamë që vetëm po shtohen të reja dhe kjo situatë është e vështirë për qytetarët atje, si dhe për funksionimin e institucioneve, situata është e papranueshme”, është shprehur Gjoshi.

Sipas tij institucionet e Kosovës janë përgjegjëse që t’i largojnë ato.

“Ne e dimë që përgjegjësitë ligjore janë tek institucionet e Kosovës që të largojnë ato barrikada dhe kemi dëgjuar se kanë një koordinim me KFOR-in dhe presin nga ta, por sot jemi në ditën e 18 që kur janë vendosur barrikadat e para dhe nuk po shohim që ka ndonjë shpresë në kushte normale do të duhej t’i largonin ata që i kanë vendosur sepse këto barrikada janë vendosur në mënyrë të organizuar me shtytjen e Qeverisë serbe”, ka theksuar Gjoshi.

Sipas tij duhet të ketë vendosmëri të Qeverisë së Kosovës për t’i larguar barrikadat.

“Ne e dimë përgjegjësi e kujt është heqja e barrikadave dhe përgjegjësi e kujt është shtrimi i sovranitetit. KFOR-i në aspektin e sigurisë është niveli i tretë dhe intervenon vetëm pasi që niveli i parë dhe i dytë nuk arrijnë që të kryejnë punët e veta. Është detyrë e Policisë së Kosovës dhe institucioneve të Kosovës që të sigurojnë rendin dhe ligjin në atë pjesë”, ka deklaruar Gjoshi.


Gjoshi: Kurti me papjekurinë e tij po i shërben Vuçiqit

Sekretari Organizativ në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), Betim Gjoshi, të martën në “60 Minuta”, të KTV-së, ka akuzuar kryeministrin, Albin Kurti, se po i shërben presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq.

“Kosova është më e dobët në tryezën e bisedimeve për shkak të veprimeve të pamatura, Në vend që presioni sot të ushtrohet tek Vuçiqi, i cili nuk i ka vendosur sanksione Ukrainës, kryeministri i Kosovës me papjekurinë e tij po i shërben Vuçiqit që të duket si delja e bardhë e Kosova si delja e zezë”, është shprehur Gjoshi.

Sipas tij nuk ka përfaqësues ndërkombëtarë që nuk është njollosur nga propaganda e Lëvizjes Vetëvendosje. Ai ka folur për deklaratën e Kurtit, i cili sipas tij, ka thënë se i dërguari special i SHBA-së, Gabriel Escobar, “është duke mbajtur anën e Serbisë”. Sipas tij kjo deklaratë është e turpshme.

“Një gjuhë e tillë që Kurti po e ka ndaj miqve, mbështetësve, të Kosovës, po i krijon favor Serbisë, Vuçiqit dhe po i shërben që bashkësia ndërkombëtare me pas një mendim më pozitiv ndaj tyre”, ka theksuar Gjoshi.