Tensionet në veri të Kosovës kanë zënë vend në ballinat e mediave të mëdha botërore. Derisa barrikadat e vjetra vazhdojnë të qëndrojnë tash e 18 ditë në pjesë të ndryshme, mëngjesin e së martës janë vendosur edhe dy të reja, duke çuar në 13 numrin e barrikadave të vendosura.
Mediat botërore raportojnë se Serbia të hënën vendosi trupat e saj të sigurisë në kufirin me Kosovën në “gjendjen e plotë të gatishmërisë luftarake”, duke injoruar thirrjet e NATO-s për qetësimin e tensioneve midis dy vendeve.
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Bratislav Gashiq ka bërë të ditur se “ka urdhëruar gatishmërinë e plotë luftarake” të policisë dhe njësive të tjera të sigurisë. Ai në një deklaratë ka thënë se ka vepruar me urdhër të presidentit serb Aleksandar Vuçiq që “të merren të gjitha masat për të mbrojtur popullin serb në Kosovë”.
Të hënën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me përfaqësues të KFOR-it dhe EULEX-it derisa në një komunikatë për media bëhet e ditur se palët janë marrë vesh për heqjen e barrikadave dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes. Institucionet në Kosovë kanë thënë se janë duke pritur KFOR-in për heqjen e barrikadave, përndryshe kanë kapacitetet e plota për t’i larguar vet ato. KFOR-i në anën tjetër ka deklaruar se ato duhet të hiqen me dialog.
Në një intervistë të realizuar të shtunën për mediumin boshnjak, Kurti ka thënë se ka ardhur koha që KFOR-i ta dëshmojë veten për çështjen e lirisë së lëvizjes. Kurti ka thënë se i vjen keq që KFOR-i po e shtyn heqjen e barrikadave.
Përgjatë këtyre 18 ditëve që prej vendosjes së barrikadave nuk kanë munguar as sulmet. Një polic i Kosovës është plagosur, disa ekipe të mediave janë sulmuar. Gjithashtu është raportuar edhe për sulm ndaj një ekipi të EULEX-it dhe tash së fundmi edhe ndaj një ekipi të KFOR-it.
Disa rrugë në veri të vendit janë bllokuar nga barrikadat e vendosura prej serbëve lokalë, pas arrestimit të ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq, të dyshuar për sulm ndaj Policisë dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.