Arbëri

Robelli: Serbia ka potencial destabilizues, luan me kartën proruse

Gazetari dhe publicisti, Enver Robelli, ka thënë se Serbia ka potencial destabilizues në rajon. Ai të hënën në emisionit “60 Minuta” të KTV-së, ka theksuar se për këtë arsye, pjesa e bashkësisë ndërkombëtare që nuk është e interesuar për konflikte të reja, përpiqet ta qetësojë Serbinë.

Kjo sipas Robellit po ndodh edhe për faktin që shtetet e tjera të rajonit nuk kanë instrumente për të kërcënuar e shnatazhuar.

“Serbia si shtet problematik, me ambicie të ndryshme ndaj shteteve tjera, me ambicie edhe territoriale, edhe tani ka potencial destabilizues në rajon dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, që nuk është e interesuar për konflikte të tjera, natyrisht që përpiqet më shumë ta qetësojë Serbinë, sepse palët tjera nuk kanë instrumente për ta kërcënuar dhe shantazhuar bashkësinë ndërkombëtare”, ka deklaruar Robelli.

Sipas tij Serbia vazhdimisht luan me kartën proruse. “Ta zëmë Kosova e Bosnja nuk kanë karta të tilla, ne nuk mund të themi që nëse nuk na pranojnë evropianët, do të kemi aleancë me Rusinë, sepse historikisht nuk jemi orientuar në atë drejtim”, është shprehur Robelli.

Sipas tij politika në Serbi ka shënuar regres.

“Kur e krahasojmë Serbinë e para 10 viteve dhe Serbinë tani, është shumë e qartë që ka një regres në Serbi, ka një prani edhe më të madhe të diskursit nacionalist në Serbi. Udhëheqja e tanishme në Serbi, po kthehet në zanafillën e saj, aty ku kanë qenë në vitet 1998-1999, ku ishte edhe presidenti Vuçiq”, ka deklaruar Robelli.


Robelli: Ndërkombëtarët s'e kishin llogaritur që Mladiçi do t’i vrasë 8 mijë persona në Srebrenicë

Gazetari Enver Robelli, të hënën në “60 Minuta” të KTV-së, ka folur edhe për librin e tij me titull “Ratko Mladiç dhe banaliteti i së keqes”, që është biografi e njërit prej kriminelëve më të mëdhenj të shekullit XX, Ratko Mladić dhe është botuar nga KOHA në nëntor të këtij viti.

Sipas tij është e nevojshme që krimet e së kaluarës të dokumentohen. “Është e nevojshme që të dokumentohet e kaluara, të dokumentohen krimet, sepse duke i dokumentuar, duke lënë shënime, duke prezantuar fakte, njerëzit mund të mësojnë për ta kaluarën e afërt”, është shprehur Robelli.

Ai ka thënë se ka qenë në shumë vende ku Mladiçi ka lënë gjurmë.

“Ajo që më ka bërë përshtypje është që Ratko Mladiçi ka qenë oficer i ushtrisë në Maqedoni, në prag të shpërthimit të krizës së madhe në ish-Jugosllavi, në fillim të viteve 90-ta, në prag të pensionimit, është sjellë në Prishtinë. Qarqet serbe kanë llogaritur që këto do të niste lufta dhe që Mladiçi do të ishte ai person që do të kryente krimet masive ndaj popullatës shqiptarë, por meqë këtu nuk ka filluar lufta, ai është dërguar në Knin të Kroacisë”, ka theksuar Robelli.

Sipas tij bashkësia ndërkombëtare se ka llogaritur që Mladiçi do t’i vrasë 8 mijë persona në Srebrenicë.

“Besoj që nuk kanë llogaritu që Mladiçi do t’iu vrasë 8 mijë njerëz. Kanë llogaritur që do t’i dëbojë edhe do të vriten disa qindra, por jo në mënyrë aq masive, kjo ka qenë naivitet i skajshëm ... Ka qenë tmerr që bashkësia ndërkombëtare nuk e ka vërejtur më herët rrezikun që i kanosej Srebrenicës”, ka deklaruar Robelli.

Ai në “60 Minuta”, ka folur edhe për librin e tij të fundit, “Rrëfime të shkurtra për një ditë të gjatë”, i cili është promovuar javën e kaluar në ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve “Rexhai Surroi”, për gazetari dhe letërsi, që organizohet nga Grupi KOHA.

Ai ka thënë se ideja e librit ka qenë që të sjellë rrëfime të vogla të figurave të mëdha, me të cilat shpjegohen gjërat e mëdha.

“Ideja është që përmes ngjarjeve të vogla në biografitë e tyre të shpjegohen gjerat e mëdha”, është shprehu Robelli.

Ai ka theksuar se shkrimi i librit ka zgjatur rreth 7-8 muaj, por se sipas tij ai është rezultat i leximeve të tij për 20 vjet radhazi.