Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka njoftuar të premten se ka realizuar video-takim mes ish-policin Dejan Pantiq, dhe ka thënë se Pantiqi nuk pati asnjë ankesë për trajtimin që po merr nga Policia e Kosovës.
Pantiqi u arrestua më 10 dhjetor pasi dyshohet se organizoi sulmin ndaj komisioneve komunale të zgjedhjeve në veri.
Sipas Avokatit të Popullit, Pantiqi ka kërkuar që t’i lejohet vizita nga avokati mbrojtës dhe familja. Kërkesë tjetër e tij është edhe që të akomodohet në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë dhe jo diku tjetër.
“Gjatë intervistimit, Pantiq tha se nuk ka ndonjë ankesë sa i përket trajtimit nga Policia e Kosovës. Ai ka avokat mbrojtës dhe e ka realizuar një takim online me të, ndërsa më 22 dhjetor 2022 ata kanë biseduar përmes telefonit. Familja është njoftuar për faktin se ai u arrestua dhe iu shqiptua masa e paraburgimit. Deri më tani nuk ka realizuar takim me ta, pasi që takimet dhe telefonatat janë subjekt i lejes nga gjykata kompetente. Sa i përket gjendjes shëndetësore, ai tha se vuan nga tensioni, por është duke e marrë terapinë adekuate. Ai po ashtu po i përdorë medikamentet që i kishin sjellë familja e tij. Ai theksoi se atij iu sigurua edhe shtrati për të fjetur dhe se i është dorëzuar vendimi gjyqësor për caktimin e masës së paraburgimit. Ai ka kërkuar që ti lejohet vizita nga avokati mbrojtës dhe familja, dhe që të akomodohet në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë dhe jo në ndonjë qendër tjetër”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.
Avokati i Popullit ka qartësuar se ka qenë e pamundur që të takoheshin me Pantiqin fizikisht për shkak të barrikadave. Falënderuar Policinë e Kosovës për mundësimin e këtij kontakti, “edhe përkundër kushteve të jashtëzakonshme në të cilat po punojnë”.
“Avokati i Popullit kërkon nga të gjitha organet kompetente që të bëjnë maksimumin e tyre që Pantiq të trajtohet në pajtim me legjislacionin duke respektuar të gjitha të drejtat që i takojnë”, thuhet tutje në njoftimin e Avokatit të Popullit.