Arbëri

Komisioni për Buxhet miraton marrëveshjet për kredi për Efiçiencë të energjisë në ndërtesat publike në Prishtinë e Prizren

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere në mbledhjen e mbajtur të premten ka miratuar dy marrëveshje për marrje të kredive.

Të gjithë anëtarët prezent në mbledhje kanë votuar për Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për projektin “Korniza e qyteteve të gjelbra ... - Efiçienca e energjisë në ndërtesa publike në Prishtinë”, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) si dhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për projektin Efiçienca e energjisë në ndërtesa publike në Prizren” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe BERZH-it.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se marrëveshja e kredisë për efiçiencë në komunë e Prishtinës, kap vlerën 5 milionë euro, përderisa 1 milion euro janë grant.

“Ky projekt kap vlerën rreth 6 milionë, 5 milionë është kredi nga BERZh-i, ndërsa 1 milion është grant. Periudha e kthimit parashihet deri në vitin 2032. Marrë parasysh nevojën për ta pasur këtë projekt, iu ftoj ta miratoni”, ka thënë Murati.

Ai ka folur edhe për marrëveshjen tjetër të kredisë.

“Ngjashëm si pika paraprakë është projekt i ngjashëm në Prizren. Dallimi i vetëm te datat e kthimit. Kushtet janë të ngjashme. Mënyra se si janë zgjedhur këto dy komuna është për shkak të madhësisë së komunave”, ka thënë Murati.

Ai ka sqaruar se kredinë e kthejnë vet komunat.

“Kredinë ta marrë niveli qendror, ndërsa niveli komunal e paguan kredinë. Kredinë e kthen komuna. E kemi dakordimin nga kryetarët e komunave. Ne kemi marrë procedurat e nevojshme, ata mund të tërhiqen nga kredia”, ka thënë Murati. / EO