Arbëri

Protestuesit serbë akuzojnë Qeverinë Kurti për dhunë

Foto: Alban Bujari / KOHA
 

Është përmbyllur në mënyrë të qetë protesta e serbëve, e mbajtur në fshatin Rudar afër Zveçanit, në veriun e barrikaduar të Kosovës. Protestuesit i akuzuan Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Albin Kurti për kërcënime me dhunë ndaj serbëve, teksa në fjalime u përçuan mesazhe për paqe. Ndërkaq Policia e Kosovës, prania e pjesëtarëve të së cilës nuk është parë as në vendin e protestës dhe as pranë barrikadave të vendosura tash 13 ditë në veri, ka vlerësuar se në tubim të pranishëm ishin rreth 1 mijë e 500 protestues.

Të organizuar, me vetura e me autobusë, me qindra serbë iu drejtuan të mërkurën fshatit Rudar në veri të Kosovës, për pjesëmarrje në protestën e thirrur nga shtabi i krizës, në të cilën u adresuan kritika e akuza ndaj Qeverisë së Kosovës për kërcënime me dhunë ndaj serbëve.

Para mbërritjes në vendin e tubimit, protestuesit i parkuan veturat skaj rrugës dhe ecën këmbë shkaku i barrikadave të vendosura nga serbët lokalë, tashmë e 13 ditë.