Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se barrikadat në veri hiqen “kur lirohen gjithë serbët e arrestuar, e tërhiqen policët e Kosovës nga veriu, e po ashtu hiqen të gjitha listat sekrete për vrasjen e serbëve”, raporton “Kosovo Online”.
Rakiq është paraqitur nga barrikadat në Rudar.
Është dita e 11-të e vendosjes së barrikadave në veri.
Rakiq ka vendosur edhe të shtrembërojë intervistën që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë për “The Guardian”.
Kurti tha në “The Guardian” se “shqetësimi ynë është që heqja e barrikadave s’mund ta përjashtojë mundësinë e viktimave. Dhe kjo është pse ne duam të jemi të kujdesshëm sa më tepër që është e mundur”.
E Rakiq tha se Kurti me deklaratat e fundit ka tejkaluar gjitha kufijtë.
“Kurti haptazi sugjeron vrasjen e serbëve në barrikada, sepse sipas tij, barrikadat nuk mund t’i heqë në asnjë mënyrë tjetër. Ai po bën thirrje për vrasjen e nënave tona, motrave tona, punëtorëve, mjekëve dhe profesorëve tanë që po luftojnë ditë e natë paqësisht kundër terrorit të tij”, tha Rakiq.