Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka thënë për KOHËN se politikani serb i Serbisë, Boban Bogdanoviq, është ndaluar nga policia kufitare e Serbisë në Merdar në mesditën e së shtunës.
Rashiqi, ndalimin e tij në pikën kufitare e ka quajtur persekutim të paligjshëm të regjimit aktual të Serbisë.
“Me këtë vazhdon persekutimi joligjor ndaj të gjithë atyre serbëve që nuk mendojnë njëjtë me regjimin në Beograd”, ka thënë ai.
Nisma Qytetare “Liri, Drejtësi, Mbijetesë” e Rashiqit e Lëvizja Përgjigja (Odgovor) e Bogdanoviqit kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi mes vete më 14 dhjetor në Graçanicë.
Ndër të tjera e kanë kritikuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe mbështetjen që kanë thënë se ua jep bandave kriminale në veri të drejtuara nga Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq.
Ndërkaq, lidhur me gjendjen e Rada Trajkoviqit që u dërgua dje në një spital në Prokuple të Serbisë pas rëndimit të gjendjes shëndetësore, ai tha se e ka gjendjen stabile.
Siç ka raportuar “Danas”, Trajkoviqi është ndaluar mbi 20 orë pasi është mbajtur pa ushqim afër pikës kufitare të Merdarit, prej ku është dërguar në qytetin e jugut të Serbisë pasi gjendja shëndetësore iu rëndua.