Arbëri

Komisioni i Venecias miraton ndryshimet në projektligjin për byronë për konfiskimin e pasurisë

Descriptive Text

 Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se Komisioni i Venecias ka miratuar të shtunën ndryshimet në projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Haxhiu nëpërmjet një video-adresimi në Facebook nga Venecia, ka thënë se raportuesit për Kosovën theksuan në komision se projektligji i ri paraqet një sistem të zbatueshëm të konfiskimit civil në Kosovë.

“Në seancën e 133-të të Komisionit të Venecias të mbajtur sot në Venecia, prezantova ndryshimet në projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar, hartuar nga Grupi Punues i Komisionit për Legjislacion, në linjë me rekomandimet e Komisionin e Venecias. Pas prezantimit dhe diskutimit, Komisioni i Venecias ka votuar pro ndryshimeve të tilla duke konstatuar adresimin e rekomandimeve dhe problemeve të identifikuara në opinionin e muajit qershor të këtij viti. Raportuesit për Kosovën theksuan se tashmë Projektligji i ri paraqet një sistem të zbatueshëm, të konfiskimit civil në Republikën e Kosovës”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka falënderuar pjesëmarrësit që kanë kontribuuar në finalizimin e nismës.

Më 19 nëntor, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i ka dërguar në Komision të Venecias amendamentet e projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.