Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, i ka reaguar deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu, pasi ajo tha se Vjosa Osmani do të mbahet mend për “si grua që hyri në Presidencë me 100 kilogramë dhe do të dalë nga aty me 50 kilogramë”.
Peci i ka reaguar duke i thënë se PDK-ja për vite e kanë shfrytëzuar Kosovën dhe ka bërë miliona që nuk maten as me kilogramë.
“Gane, kilogramë për kilogramë, ti dhe partia jote jeni majmur duke e shfrytëzu Kosovën si plaçkë lufte. Milionat që keni ba ju nuk peshojnë me kg, por me okë. Keni hy në pushtet me panla e keni dalë milionerë. Keni hy të lodhtë e keni dalë të fuqishëm në mënyrë të frikshme. Kur keni hy as biçikleta nuk keni pasë, sot voziteni me marka veturash nga trendet që shihen në TV”.
Ndërkohë ka thënë se fjalët e Musliut janë diskurs i partisë së saj, ndërkohë që ka kujtuar një fyerje të cilën e pati bërë ish-kryeparlamentari Kadri Veseli.
“Ky diskursi yt është diskurs i partisë, në fakt. Prej shprehjes ‘ma hangsh...’, e deri te fymjet të natyrave të tjera, janë bërë pjesë e ‘gjuhës parlamentare’, nga ti dhe bashkëpartiakët”.
Peci ka thënë tutje se me gjuhën e tij, Musliu po e shpërfaq veten.
“Bullizmi që ti e përdorë në raport me Presidenten e vendit është veç shpërfaqje e Ganes së vërtetë. Ti je kjo realja konform gjuhës që e përdorë. Ti vetë ke qenë viktimë e këtij diskursi, ndaj Gane e dashur, përmbahu, sepse i fyeri të fyen! Për fund, po ta sjell në vëmendjen tuaj një thënie të mikes së madhe të Kosovës, ish-sekretares Albright: Ka një vend të veçantë në ferr për gratë që nuk i mbështesin gratë!” ka shkruar Peci në Facebook.