Arbëri

Murati: Me amendamentet e miratuara në Komision, buxheti do të rritet për 13 milionë euro

Ministri i Financave, Hekuran Murati, të enjten në seancën e Kuvendit ku në lexim të dytë është duke u shqyrtuar Projektligji mbi ndarjet buxhetore për vitin 2023, ka thënë se me amendamentet që kanë kaluar në Komisionin për buxhet, punë dhe transfere, buxheti për vitin e ardhshëm do të rritet nga 3 miliardë e 212 milionë euro në 3 miliardë e 225 milionë.

“Një pjesë e madhe e amendamenteve nuk janë miratuar, për arsye se ministritë e linjës kanë plane, ose janë paraparë për një kohë të më vonshme”, ka thënë Murati.

Ai ka thënë se buxheti do të mirëmbajë konsolidimin fiskal dhe nivelin e borxhit publik dhe që e kthen në rregullën fiskale para pandemisë.

Ai ka thënë se kanë qenë disa ndryshime për projektet që janë të financuara nga Banka Botërore apo institucionet financiare ndërkombëtare për shkak se kur është dorëzuar buxheti në fund të tetorit, organizatat kanë qenë optimiste që do të përfundohet, por në disa raste disa shpenzime duhet të bartën për vitin e ardhshëm.

Në këtë seancë kryetari i Komisionit për buxhet, Armend Muaj, ka thënë se Komisioni rekomandon që Projektligji për buxhet të miratohet me amendamentet e propozuara nga ky Komision.