Në Mitrovicë të Veriut më 14 dhjetor janë betuar asamblistët e rinj. Po ashtu Nexhat Uglanin nga radhët e komunitetit boshnjak është zgjedhur kryesues i ri i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut.
Nga 15 asamblistët e rinj, që dhanë betimin, vetëm një është nga radhët e komunitetit serb. Ai është Dushan Millunoviq nga iniciativa qytetare “Mbijetesa Serbe”. Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut ka 19 asamblistë në total.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë fillim të muajit nëntor, kryetarët e katër komunave në veri, që vinin nga radhët e Listës Serbe, por edhe kryetarët e Kuvendeve Komunale dhe asamblistët, dhanë dorëheqje.
Asamblistët e rinj, sipas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, do të zëvendësojnë asamblistët e Listës Serbe, që u dorëhoqën.
Zyrtarët serbë dhanë dorëheqje në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës lidhur me riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.
Por, në ndërkohë Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, arritën një marrëveshje për targat.
Për shkak të rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, zgjedhjet për kryetarë komune dhe ato për kuvende komunale në katër komunat në veri të Kosovës – të parapara të mbaheshin më 18 dhe 25 dhjetor – janë shtyrë për në prill të vitit të ardhshëm.
Që nga 6 dhjetori, në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur tensionet. Më 10 dhjetor, disa serbë lokalë ngritën barrikada, pas arrestimit të një ish-polici serb.
Për shkak të tensioneve, Policia e Kosovës ka shtuar prezencën e saj në veri dhe autoritetet kanë mbyllur përkohësisht dy pikëkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak. /REL