Mësimdhënësit ankohen për mungesë të ndryshimeve substanciale në bazën ligjore të MASHTI-t

Një legjislacion të ri e promovoi ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ditë më parë në rrjete sociale.
Ajo proklamoi se ky dokument redukton ngarkesën administrative për kujdestarët e klasave, sekretarët e drejtorët e shkollave.
Por sipas mësimdhënësve, legjislacioni ri nuk ndryshon nga ai paraprak.
“Unë personalisht nuk arrita ta kuptoj se çfarë ngarkese administrative paska reduktuar ky udhëzim administrativ, të gjitha punët koti që i kemi bërë deri tani paskemi me i bërë edhe tutje, duke filluar nga librezat, nëse rastësisht dikush e kuptoi se çfarë lehtësimi paska sjellë ky udhëzim administrativ ju lutem më tregoni”, tha Vjollca Ramabaja, mësimdhënëse në shkollën “Dardania” në Prishtinë.
Mësimdhënësit do të vazhdojnë t’i plotësojnë si më parë, ditarin e klasës, librin amë, certifikatat, madje edhe librezat për evidentimin e suksesit të nxënësve, të cilat janë vlerësuar se u ka humbur rëndësia.
Një ndryshim që vërehet në legjislacionin e ri është se tash është rritur volumi i librit amë, nga 200 në 210 fletë.
Në njoftimin e ministres Nagavci, është thënë se udhëzimi i ri administrativ do të krijojnë bazën ligjore për digjitalizimin e dokumentacionit pedagogjik, por fjala “digjitalizim” nuk përmendet në këtë legjislacion.
Në lidhje me këtë, ministria nuk ka dhënë sqarim për KOHËN.
Digjitalizimi i arsimit është një ndër pesë objektivat e Ministrisë së Arsimit, mirëpo nuk ka implementim nacional.
Platformën elektronike “E-shkollori” e posedojnë vetëm katër komuna, ajo e Prishtinës, Malishevës, Gjakovës dhe Hani të Elezit. Edhe ato që e posedojnë nuk janë të kursyera nga dokumentacionet fizike.
Mësimdhënësja në shkollën “Emin Duraku” në kryeqytet, Naxhije Fejzullahu, ka thënë se plotësimi fizik dhe digjital i dokumenteve u shpenzon edhe kohën që do të duhej të përgatiteshin për planifikimin e orës mësimore.
“"Zakonisht sa i përket vlerësimit të përditshëm edhe të vazhdueshëm që i bëjmë nxënësve, ne shfrytëzojmë edhe pushimin e shkurtër si mësuese e klasë për ta bërë këtë vlerësim në mënyrë që të mos grumbullohet , apo mos të anashkalojmë vlerësimin e vazhdueshëm të nxënëse, kjo na merr shumë kohë, e ceka edhe pak më herët që shpesh herë na merr pushimin e shkurtër apo edhe pushimin e gjatë”, tha Fejzullahu.
E sipas drejtorit të kësaj shkolle, Visar Osmani, vetëm heqja e dokumentacioneve fizike ua zvogëlon atyre barrën administrative.
“Pjesa e digjitalizimit është diçka e mirëpritur ,por gradualisht është mirë që të mbyllet ana fizike e dokumentacioneve, si dëftesat, certifikatat e ndryshme, librezat. Thjesht procedurat e notimit duhet të kthehet në mënyrë digjitale, sepse për momentin është ngarkesë për mësimdhënësit dy anshëm, si ditari, si e-shkollori, ashtu edhe plotësimi i librezave në çdo gjysmëvjetor”, tha Osmani.
Ministria e Arsimit ka ndarë mbi 51 milionë euro për digjitalizimin e arsimit për gjashtë vjetët e ardhshëm, me qëllim të vënies së teknologjisë në funksion të përmirësimit të mësimdhënies dhe të nxënit zhvillimin e kompetencës digjitale te brezat e rinj.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Sinani akuzon Arifin për nënshtrim ndaj Serbisë, ky e quan gënjeshtare - shkak flamuri serb

Poshtë Ibrit, vetëm në Graçanicë respektohet thirrja e Listës Serbe për ditë zie

Dialogu konsiderohet i pakuptimtë, përderisa nuk zbardhet rasti i sulmit në veri
