Arbëri

Osmani takohet sot me partitë politike për zgjedhjet në veri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pret të shtunën në takim partitë politike për konsultim lidhur me zgjedhjet komunale në komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Nuk dihet nëse pas takimit do të ketë prononcim për media.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim sot në orën 14:30, partitë politike për konsultim lidhur me zgjedhjet komunale në: Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan Mediat mund të marrin pamje në fillim të takimi”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Zgjedhjet në veri janë përcaktuar që të mbahen më 18 dhjetor.

Mirëpo, SHBA-ja dhe Gjermania kanë kërkuar që ato të shtyhen, me arsyetimin se nuk ka kushte për zhvillimin e tyre.

Të martën në Zubin-Potok dhe në Mitrovicë të Veriut, zyrtarët komunalë të zgjedhjeve dhe zyrtarët policorë, derisa kanë tentuar t’i hapin zyrat e Komisioneve Komunale Zgjedhore, janë sulmuar me shok-bomba dhe të shtëna në ajër, nga persona të panjohur. Si pasojë e kësaj atyre u është pamundësuar vazhdimi i procesit përgatitor për zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri. Sulme në veri ka pasur edhe të mërkurën.


AAK-ja refuzon të shkojë në takimin e thirrur nga presidentja

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim sot në orën 14:30, partitë politike për konsultim lidhur me zgjedhjet komunale në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan

Kërkesa për shtyrje ka ardhur nga ambasadorët e QUINT-it ndërsa të paqarta janë rekomandimet e institucioneve të sigurisë.

Pro shtyrjes së zgjedhjeve është shprehur Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e cila nuk do të shkojë në takim te presidentja Osmani.

Zëdhënësi i kësaj partie, Kushtrim Xhemaili, deklaroi për KosovaPress se qëndrimi i tyre tashmë dihet dhe nuk e shohin të nevojshme të shkojnë në takim.

“Qëndrimi i AAK-së për zgjedhjet në veri është që ato të shtyhen sepse kemi vlerësuar se nuk është momenti i përshtatshëm për mbajtjen e tyre. Këtë qëndrim e kemi bërë publik tash e sa ditë. Duke pasur parasysh këtë qëndrim, nuk e vlerësojmë të nevojshme pjesëmarrjen e AAK-së në takim me Presidenten”, u shpreh Xhemaili.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është shprehur i gatshëm të organizojë zgjedhjet në katër komunat veriore të vendit të parapara të mbahen më 18 dhe 25 dhjetor. Në mbledhjen e së shtunës, janë certifikuar edhe 14 kandidatë të Lëvizjes Vetëvendosje për Kuvend Komunal të Leposaviqit./ksp