Arbëri

Rasti i zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit po trajtohet si “manipulim me prova”

Policia e Kosovës, në raportin për 24 orët e fundit, ka dhënë detaje për rastin e zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë, në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Sipas Policisë, rasti është duke u trajtuar si “manipulim me prova”.

“Dëshmitarja femër kosovare, zyrtare e Laboratorit të Mjekësisë Ligjore, ka raportuar se gjatë seleksionimit, klasifikimit dhe bartjes së mostrave, kanë vërejtur se mungojnë disa mostra biologjike të një rasti. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit, rasti vazhdon të hetohet nga njësitë kompetente”, thuhet në raportin e Policisë.

Për këtë rast Ministria e Drejtësisë, të enjten ka njoftuar se janë pezulluar nga puna katër zyrtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Sipas njoftimit, pezullimi është bërë me vendim të Komisionit Disiplinor të Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Po të enjten në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se të mërkurën në mbrëmje kanë kuptuar se mostrat e Astrit Deharit, janë zhdukur nga Laboratori i toksikologjisë. Ajo ka theksuar se tre persona kanë pasur qasje në laborator derisa ka shtuar se nuk dihet saktë se kur, mbi 10 mostra të Deharit, mund të jenë marrë nga laboratori.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren më 5 nëntor të vitit 2016, ku po mbahej i paraburgosur nën dyshimin se kishte kryer sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, bashkë me disa aktivistë të tjerë.

Teksa Prokuroria atë kohë pati thënë se është vetëvrasje, familja në vazhdimësi ka insistuar se bëhet fjalë për vrasje.