Arbëri

Sveçla: Çdo tension në veri ndodh për shkak të vendimeve kriminale të Beogradit

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se prapa të gjitha tensioneve dhe shkeljeve ligjore që ndodhin në veri të Kosovës, qëndron Qeveria e Serbisë. E njëjta, sipas tij, vlen edhe për sulmet me shok-bomba ndaj Policisë së Kosovës në veri në dy ditët e fundit, në përpjekjet për organizim të zgjedhjeve të parapara lokale për 18 dhjetor në katër komunat në veri: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Të martën në Zubin-Potok dhe në Mitrovicë të Veriut, zyrtarët komunalë të zgjedhjeve dhe zyrtarët policorë, derisa kanë tentuar t’i hapin zyrat e Komisioneve Komunale Zgjedhore, janë sulmuar me shok-bomba dhe të shtëna në ajër, nga persona të panjohur. Si pasojë e kësaj atyre u është pamundësuar vazhdimi i procesit përgatitor për zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri. Sulme në veri ka pasur edhe të mërkurën. Të enjten, u vendos për shtim të pranisë së Policisë së Kosovës në këtë zonë. Sipas ministrit Sveçla, vendimi është marrë për shkak të ngjarjeve të netëve të kaluara e me qëllim që qytetarëve t’u garantohet qëndrim i sigurt në vendbanimet e tyre.

“Policia bën vlerësime të sigurisë dhe në bazë të tyre ka parë të arsyeshme që të shtohet numri i policëve të rendit që krejt çka bëjnë është ofrim i sigurisë për të gjithë banorët aty. Shtimi i prezencës pa qëllime të tjera pos rritjes së sigurisë për banorët e këtyre lagjeve ka sjell te ky vendim dhe implementimi i tij”, ka thënë ai në mbrëmje në një deklaratë për televizionin publik.

Sipas Sveçlës, shtimi i pranisë së Policisë është bërë në lokacione të ndryshme në Mitrovicën e Veriut.

Ai ka thënë se Policia dhe Prokuroria Speciale po vazhdojnë hetimet për të parë se kush qëndron prapa sulmeve të ditëve të fundit. Vetë Sveçla ka thënë se në mesin e të dyshuarve janë edhe ish-policë që u dorëhoqën muajin e shkuar, në valën e dorëheqjeve të serbëve nga institucionet e Kosovës, pas vendimit të Qeverisë për t’i dënuar pronarët e veturave me targa ilegale.

“Jam optimist se do të dalin shumë shpejt me rezultatet e duhura e do të propozojnë masat e duhura në drejtim të përndjekjes dhe vënies para drejtësisë të të gjithë atyre që qoftë me akte huligane a terroriste si rasti i sulmit me bombë dore në zyrën e Komisionit Komunal Zgjedhor, të vihen para drejtësisë. Më kanë siguruar se po punojnë me kapacitete të plota dhe jam i bindur se shumë shpejt do të kemi rezultatet e duhura. E dimë që këto raste s’janë spontane. Janë të organizuara. Janë të drejtuara nga njerëz profesionistë, të udhëhequra nga Qeveria e Beogradit, jo vetëm të mbështetur politikisht, por edhe financiarisht e në aspektin e koordinimit. Jam i bindur që kapacitetet e Policisë së Kosovës janë të duhura për t’u ballafaquar me çfarëdo situate”, ka thënë ai.

Sipas Sveçlës, momentalisht në veri situata është “relativisht e qetë”. Ai ka refuzuar të japë mendim nëse zgjedhjet duhet të mbahen apo jo, por është shprehur optimist mbi kapacitetet e policisë për të ofruar siguri.

Për kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që zgjedhjet të mos mbahen, Sveçla ka thënë se Kosova i merr me seriozitetin më të madh apelet, por ka shtuar se vendimi do të merret pas rekomandimeve nga institucionet e duhura.

“Të shprehem qartë se përse mund të rrezikohet apo përkeqësohet situata e sigurisë në këtë zonë. Kjo është për shkak të akteve kriminale e herë-herë edhe terroriste të grupeve të caktuara të cilat janë nën drejtimin dhe mbështetjen e Beogradit. Do të thotë të gjitha këto tensione, shkelje ligjore, ndodhin për shkak të vendimeve kriminale të Qeverisë së Beogradit. Jo për shkak se ne si institucione po zbatojmë ligjin dhe Kushtetutën në çdo cep të Republikës së Kosovës. Të jemi të qartë mbi përgjegjësinë, rolet destruktive të palës tjetër. Patjetër që pastaj të gjitha institucionet duhet të jenë të përgjegjshme në raport me obligimet dhe detyrat që i kemi për dhe kundrejt Republikës së Kosovës”, ka përfunduar ai.