Arbëri

Haradinaj: Largimi nga këshillat amerikane mund t'i kushtojë Kosovës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se largimi nga këshillat që vijnë nga SHBA-ja për Kosovën, do të ishte gabim i kushtueshëm.

Ai shkroi në Facebook të enjten se aleatët strategjikë, në krye me SHBA-në, kanë rol madhor në marrëveshjen finale me Serbinë.

“Gjatë këtij procesi, për të ndihmuar Kosovën, kam paralajmëruar institucionet e vendit për pengesat e rreziqet që mund të na dalin gjatë rrugës, nisur nga përvoja ime e gjatë në proceset politike. Andaj, largimi nga këshillat amerikane në një periudhë kur situata është shumë e brishtë, e institucionet nuk e kanë fuqinë e duhur ta mbajnë gjendjen nën kontroll, është gabim i cili nuk falet e që mund t’i kushtojë Kosovës”, deklaroi Haradinaj.

Deputeti i partisë opozitare theksoi se përballë Serbisë, Kosovës i duhet unitet politik, që sipas tij, marrëveshja që hap dyert për NATO-n dhe organizatat ndërkombëtare, të përmbyllet “sa më parë”.