Arbëri

Nëpërmjet qasjes digjitale, Kosova synon ta rrisë numrin e turistëve të huaj

Oda e Hotelerisë dhe Turizmit e Kosovës ka promovuar projektin “Made in Kosova”, i përkrahur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, me të cilin synohet rritja e numrit të turistëve të huaj në Kosovë. Kryetari i Odës të Hotelerisë dhe Turizmit ka thënë se projekti do t’u dërgohet të gjitha ambasadave të huaja në Kosovë.

Kosova po tenton që të rrisë numrin e turistëve të huaj.

Oda e Hotelerisë dhe Turizmit e Kosovës ka prezantuar projektin përmes një platforme digjitale me të cilin do të promovohen vendet me vlerë turistike te ne.

“Made in Kosova” është uebfaqe që ofron të dhëna për qytetet dhe vendet turistike, përmes së cilës u ofrohen të dhëna të sakta atyre që dëshirojnë ta vizitojnë Kosovën.

Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva, ka thënë se ky projekt do t’u dërgohet të gjitha ambasadave të huaja që gjenden në Kosovë, me qëllim shpërndarjen e materialeve për bukuritë e Kosovës.

“Me këtë jemi përkushtuar që sa ma mirë, sa ma qartë të promovojmë vlerat turistike të Kosovës, pavarësisht a janë natyrore, kulturore apo historike. Ne synojmë gjithmonë turistë nga jashtë, sepse sa më shumë turistë që të kemi nga jashtë edhe qarkullimi turistik është më i volitshëm, për arsye se turistët nga jashtë shpenzojnë më tepër”, ka thënë Sogojeva.

Erdonist Gashi, krijues i kësaj platforme, ka thënë se qëllimi i këtij projekti është ta bëjë më të lehtë për turistë qasjen digjitale për vendet turistike që ka Kosova.

Ai ka shtuar se “Made in Kosova” vazhdimisht do të përditësohet dhe synohet të kthehet në një lloj “enciklopedie turistike”.

“Kemi implementuar informatat rreth trashëgimisë kulturore në Kosovë duke përfshirë qytetet, ku secili përdorues i platformës e ka mundësinë të gjejë një video promocionale të qytetit përkatës, secila video është implementuar në gjuhët e huaja, ku përdoruesit e huaj e kanë qasjen sa më të lehtë”, ka deklaruar krijuesi i platformës.

Me anë të kësaj platforme tentohet që atraksionet turistike në Kosovë të jenë të njohura edhe jashtë saj, dhe këto vende të shndërrohen në destinacione për turistë.

Ky projekt është përkrahur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.