Ka disa ditë që Artan Zymberaj, një i ri nga Peja me nënshtetësi të Norvegjisë, ka vdekur në një burg të Serbisë, porse për rrethanat e vdekjes institucionet e Kosovës nuk kanë kurrfarë informacionesh. Informata nuk ka ofruar as Ministria e Jashtme e Norvegjisë, e cila e ka bërë përgjegjëse Serbinë. E autoritetet serbe nuk kthyen përgjigje për rastin. Familjarët thonë se Zymberaj u vra në burg për shkak të etnisë dhe për shkak të disa tatuazheve që kishte në trup me figurat e Skënderbeut e Adem Jasharit
Artan Zymberaj nga Peja e me nënshtetësi norvegjeze ka disa ditë që ka vdekur në Burgun e Mitrovicës së Sremit në Serbi, ku po mbahej prej rreth një viti.
Familjarët e tij pretendojnë se ai është vrarë, por Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës nuk ka kurrfarë informacioni zyrtar mbi rrethanat e vdekjes.
Në Ministri kanë thënë se misioni i posaçëm i Kosovës në Beograd ka kontaktuar me autoritetet serbe, por që nga 2 dhjetori nuk i janë ofruar informata.
“Nga Zyra Ndërlidhëse e Serbisë në Kosovë na është komunikuar se janë duke u përpjekur të marrin të dhënat e nevojshme nga autoritetet e tjera serbe, por deri tani nuk na kanë ofruar ndonjë informatë me të cilën e konfirmojnë rastin”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.
Për vdekjen e Zymberajt, sipas MPJ-së, shtypi serb nuk ka raportuar fare.
Lidhur me rastin KOHA ka kërkuar përgjigje edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë, zyrtarë të së cilës nuk kanë dhënë detaje, porse kanë thënë se përgjegjësinë për vdekjen në burg e mbajnë autoritetet serbe.
“Autoritetet lokale janë përgjegjëse për kushtet e burgjeve në Serbi, duke përfshirë shëndetin dhe sigurinë e të burgosurve. Çdo pyetje në lidhje me rrethanat e vdekjes duhet t'u drejtohet autoriteteve serbe. Për shkak të legjislacionit norvegjez për detyrën e fshehtësisë, Shërbimi i Jashtëm nuk është në gjendje t'ua komentojë çështjet konsullore askujt tjetër, përveç atyre që janë të përfshirë drejtpërdrejt”, ka thënë Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë.
KOHA i është drejtuar edhe Ministrisë së Jashtme të Serbisë lidhur me dyshimet e para për shkaqet e vdekjes, por nuk ka kthyer përgjigje.
Sipas familjarëve, Zymberaj para rreth një viti ishte arrestuar në Serbi me arsyetimin se me vete po bartte disa medikamente.
Për këtë gjykata në Serbi e kishte shpallur fajtor dhe i kishte shqiptuar dënim me burgim prej tre vjetësh.
Gjatë qëndrimit në burg të afërmit e të riut thonë se ai ishte maltretuar dhe se është vrarë vetëm pse ishte shqiptar.
Familjarët dyshojnë se ai është vrarë meqë në trup kishte disa tatuazhe me figura kombëtare, si atë të Skënderbeut e të Adem Jasharit.
Në kohën e arrestimit ai ishte duke udhëtuar me një veturë, e cila po ashtu mbante simbole kombëtare.