Arbëri

Qeveria: Mbajtja e zgjedhjeve obligim kushtetues, presim vlerësimin e situatës për hapat e mëtejmë

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka theksuar se mbajtja e zgjedhjeve në komunat veriore të Kosovës është obligim kushtetues i institucioneve të Kosovës.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Kryeziu ka thënë se janë në pritje të vlerësimin e situatës në veri nga organet tona të sigurisë për hapat e mëtejmë.

Ai ka theksuar se institucionet e Kosovës kanë treguar gatishmërinë për të ofruar kushtet e nevojshme për mbarëvajtje të zgjedhjeve.

“Zgjedhjet janë manifestim i fuqishëm i demokracisë. Pengimi apo pamundësimi i tyre është sulm ndaj demokracisë. Pas dorëheqjeve të kryetarëve të katër komunave në veri të vendit, mbajtja e tyre tashmë është obligim kushtetues i institucioneve të Republikës”, ka shkruar Kryeziu.

Ai ka theksuar se qytetarët atje kanë nevojë për përfaqësim direkt të tyre dhe se institucionet kanë nevojë për drejtues legjitim të tyre.

“Bandat kriminale mund edhe mos të marrin pjesë në zgjedhje, por ato nuk mund ta diktojnë mbajtjen apo jo të zgjedhjeve demokratike. Aktet e dhunës dhe veprimet kriminale duhet të dënohen njëzëri. Presim vlerësimin e situatës në veri nga organet tona të sigurisë për hapat e mëtejmë”, ka shkruar Kryeziu.

Të mërkurën, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, përmes një reagimi në Twitter, ka thënë se për momentin nuk janë krijuar kushtet e duhura që të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar, në katër komunat veriore.