Arbëri

Politologu nga Shqipëria: “Ballkani i Hapur”, ide e vdekur

Politologu nga Shqipëria, Altin Gjeta, ka thënë se Ballkani i Hapur është një ide e vdekur që nuk do të jetësohet kurrë pasi tri shtete të rajonit, përfshirë Kosovën, vendosen të mos i bashkohen kësaj iniciative.

Gjeta këtë konstatim e bazoi pasi në Samitin e Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor, që u mbajt në Tiranë të shtunën, nuk u fol fare për Ballkanin e Hapur. Gjeta beson te Procesi i Berlinit.

“Duke nisur me idenë që sot nuk u fol për Ballkanin i Hapur, mendoj se ajo është një ide e vdekur që nuk do të jetësohet në asnjë moment përderisa tri shtete kanë vendosur të mos i bashkohet. Është një projekt që i mbivendoset Procesit të Berlinit. Liderët e dinë se Ballkani i Hapur rrezikon të shndërrohet një mekanizëm që fuqizon ekonomikisht Serbinë dhe mund ta shfrytëzojë për kërcënim të stabilitetit në rajon”, ka thënë Gjeta në “Interaktiv” të KTV-së.

Gjeta e ka konsideruar lajm mjaft të mirë mbajtjen e Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë. Thekson se agresioni rus në Ukrainë e ka bërë BE-në të reagojë më shpejtë për anëtarësimin e rajonit.

“Integrimi i rajonit në BE nuk do të linte vakum për interferimin e Rusisë apo Kinës”, shtoi ai.

Gjeta u shpreh se presidenti serb Aleksandar Vuçiq ishte i detyruar të merrte pjesë në Samitin e sotëm, pasi sipas tij, Serbia është në një moment negociatash me BE-në dhe nuk mund të tërhiqet lehtë nga një proces i tillë. Shtoi se shumë shpejt do të vijë momenti i së vërtetës, që Serbia të zgjedhë mes Perëndimit apo Lindjes.

“BE-ja nuk do ta tolerojë edhe shumë gjatë qëndrimin e Serbisë në dy karrige”, vijoi politologu nga Tirana.