Arbëri

Gazetari i KOHËS: Një bombë shpërtheu tri metra larg nesh

Fitim Gashi

Gazetari i KOHËS, Fitim Gashi, ka treguar se si një mjet shpërthyes, që dyshohet se ishte shok-bombë, shpërtheu vetëm 3 metra larg ku po qëndronte ekipi i KOHËS në veri të Mitrovicës.

Gashi ka thënë se mjeti dyshohet se u hodh nga “Tre Rrokaqiejt”, ndërsa pas kësaj Policia e Kosovës u kishte thënë se nuk mund të ofroj garanci.

Zyra e Komisionit Komunal Zgjedhor në veri të Mitrovicës u demolua. Pati disa shpërthime, ndërsa pati shpërthime e të shtëna edhe në Zubin-Potok.

“Sa qëndruam në afërsi të zyrave të KKZ-së për të vëzhguar, ndodhi një shpërthim që ishte rreth tri metra afër nesh, ku ishim duke qëndruar me kameramanin dhe disa gazetarë tjerë. Shpërthimi ishte mjaft i fuqishëm. U larmuan policët kërkuan të largohemi prej asaj zone, na dërguan në një zonë tjetër. Sipas deklaratave të policiste ishte shok-bombë. Kërkuan të largohemi pasi ishim përballë me ‘Tre Rrokaqiejt’, e dyshohem se u hodh nga atje bomba. Pasi erdhën më pas Policia e deminerët për të larguar mjetin e pashpërthyer nga objekti i KKZ-së na u kërkuan të largohemi tërësisht. Na u tha s’mund të ofrojmë siguri. Na u tha të largohemi si erdhëm, pa përcjellje”, ka thënë Gashi në Interaktiv të KTV-së.

Ai ka treguar se situata në veri ishte mjaft e tensionuar, ndërsa nuk kishte lëvizje të njerëzve. Ai ka treguar se kishte vetëm lëvizje të veturave me targa KM. Thotë se kishte persona që monitoronin gjendjen e më pas merreshin nga veturat me targa KM.

Gashi ka thënë se numri i forcave policore të Kosovës ishte mjaft i vogël atje, dhe madje befasuese ishte fakti se në objektin e demoluar të KKZ-së në Mitrovicë të Veriut, nuk kishin qenë të vendosur fillimisht shiritat e Policisë.

“Ato u vendosën vetëm pasi raportuam se ka një granatë të pashpërthyer në objekt. Erdhën më pas vetura të EULEX-it e po ashtu Policisë së Kosovës dhe ekipet e deminimit”, tregon Gashi.

Ai thotë se situata është mjaft e tensionuar, dhe se siç ka marrë edhe informata nga kolegët në veri, ka mobilizim nga strukturat ilegale për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve në komunat veriore.

Zgjedhjet për kryetar të komunave veriore janë paraparë të mbahen më 18 dhjetor.