Të gjitha analizat e qytetarëve të Komunës së Vushtrrisë që kryhen në spital dhe në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare realizohen pa specialistë të biokimisë dhe me teknikë laborantë. Mungesë të specialistëve të biokimisë kanë raportuar edhe në disa komuna të tjera. E krejt kjo, sipas tyre, po ndodh ngaqë mjekët, pas specializimit në fushën e biokimisë, e synojnë punësimin në Qendrën Klinike dhe Universitare dhe e refuzojnë angazhimin nëpër qendra kryesore të mjekësisë familjare
Të gjitha analizat laboratorike në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Vushtrri, prej qershorit janë kryer pa specialist të biokimisë, kanë konfirmuar nga kjo qendër, pas ngritjes së shqetësimeve nga qytetarët.
Drejtoresha Naile Xhaka, ka pranuar se gjatë periudhës pesëmujore të këtij viti, 25 analiza janë kryer vetëm me teknikë të laboratorit dhe se kjo ka ndodhur shkaku që gjatë kësaj periudhe, shefi i diagnostikës ka qenë në arrest shtëpiak, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Për të njëjtën arsye ishin suspenduar edhe dy teknikë laboratorikë.
E për shkak të kërkesave të shumta për analiza ditore, Xhaka ka bërë të ditur se i kanë kthyer në punë, si kryeshefin, ashtu edhe teknikët e suspenduar.
“Prej atëherë ne kemi marrë vendim për suspendim në punë dhe në momentin që këta i kemi suspenduar për 6 muaj, me Udhëzim Administrativ duhet t’i kthejmë në punë brenda 6 muajve, ose duhet t’ua shkëpusim kontratën. Dhe ne, pas mungesës së personelit që u paraqit në njësinë e laboratorit, kemi marrë vendim që këta t’i kthejmë në punë më 1 dhjetor, për shkak të mungesës së punëdhënësit”, ka thënë Xhaka.
Mungesë të specialistit të biokimisë ka edhe Spitali i Vushtrrisë, që ndodhet pranë QKMF-së.
Në këtë spital kanë bërë të ditur për KOHËN se dy konkurset e hapura për këtë pozitë kanë dështuar, në mungesë të kandidatëve.
“Sa i përket interesimit tuaj, ju njoftojmë se në spitalin ‘Sheikh Zayed’ në Vushtrri, edhe përkundër që kemi shpallur konkurs publik dy herë radhazi për specialistë të biokimisë, nuk ka pasur asnjë kandidat. Aktualisht kemi 5 teknikë laborantë prej muajit shtator. Kryhen analiza për pacientët e hospitalizuar, sipas nevojës, si dhe kryhen për rastet emergjente. Ndërsa, sa i përket shpalljes për konkurs publik, javën tjetër do të rishpallet prapë dhe shpresojmë se do të kemi kandidatë”, thuhet në përgjigjen e spitalit të Vushtrrisë.
KOHA ka mësuar se me mungesë të specialistëve të biokimisë po përballen edhe komunat e Kaçanikut, Mitrovicës dhe të Dragashit.
Sali Malsiu, drejtori i Shëndetësisë në Kaçanik, ka theksuar se mjekët, pas specializimit, refuzojnë që të punojnë nëpër QKMF.
“Në vitin 2010 është dërguar në specializim në biokimi një mjeke nga Komuna për nevojat e QKMF-së. Ajo, pas përfundimit të specializimit, ka punuar te ne deri në vitin 2016 e pastaj është punësuar në QKUK në Prishtinë. Kurse të gjitha analizat e parapara për QKMF-në kryhen nga teknikët laborantë të mjekësisë. Problemi është se secili që po e kryen specializimin, nuk po dëshiron të punojë në QKMF”, ka thënë Malsiu.
Lidhur me mungesën e specialistëve të biokimisë klinike nëpër spitale e QKMF, KOHA ka adresuar pyetje në Ministrinë e Shëndetësisë, porse në përgjigjen e shkurtër, nga kjo instancë, kanë insistuar që sqarimet të kërkohen në institucione të tjera.
“Lidhur me pyetje tuaja, luteni që ta kontaktoni Odën e Mjekëve të Kosovës, pasi që OMK-ja e bën licencimin e mjekëve. Ndërsa, sa i përket mungesës së specialistëve të biokimisë në institucionet shëndetësore, luteni që ta kontaktoni SHSKUK-në”, kanë thënë në Ministrinë e Shëndetësisë.
Por as në Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar, që i ka nën menaxhim spitalet rajonale, nuk ka dhënë përgjigje rreth çështjes.
“Klinika e Biokimisë Mjekësore në QKUK i ka të punësuar, së bashku me mua, 25 specialistë të biokimisë klinike. Për momentin, në punë së bashku me mua janë të kyçur 23 veta, meqë 2 veta janë në pushim pa pagesë - njëra për shkaqe shëndetësore, kurse tjetri për shkak të edukimit të vazhdueshëm në SHBA. Nga Klinika e Biokimisë Mjekësore deri më tani kanë shkuar në sektorin privat dy veta”, thuhet në përgjigjen e drejtorit të Klinikës së Biokimisë, Shemsi Veseli.
Përveç përgjigjes së Veselit, SHSKUK-ja nuk ka dhënë sqarime për situatën në spitalet rajonale.
KOHA ka raportuar në vazhdimësi se për shkak të mungesës së stafit, disa reparte në spitale rajonale dhe në institucione të nivelit të kujdesit parësor rrezikojnë që të mbyllen.