Mungesa e zbatimit të Ligjit për Mbikëqyrje Elektronike nga ana e Policisë së Kosovës ka bërë që të pandehurit t’u afrohen viktimave edhe në rastet kur ato kanë pasur urdhër mbrojtës nga Gjykata. Një rast i tillë ka ndodhur edhe mbrëmë ku për shkak të mosimplementimit të Ligjit e mungesës së mbikëqyrjes fizike nga ana e Policisë, i dyshuari S.H., përveç që i është afruar ish-bashkëshortes së tij, edhe e ka vrarë atë bashkë me foshnjën në bark
Nëse Policia e Kosovës do ta zbatonte Ligjin për Mbikëqyrjen Elektronike, i cili ka hyrë në fuqi qe 7 vjet, vrasja që ndodhi të mërkurën në QKUK do të mund të shmangej.
Pajisja e mbikëqyrjes do ta alarmonte Policinë në mënyrë elektronike, në momentin kur i pandehuri, të cilit Gjykata ia kishte kufizuar lëvizjen rreth viktimës, do t’i afrohej asaj brenda perimetrit të ndaluar.
Mungesa e zbatimit të Ligjit e mungesa e mbikëqyrjes fizike nga ana e Policisë ka bërë që i dyshuari S.H., të mërkurën, ta vrasë bashkëshorten shtatzënë, ani pse asaj Gjykata i kishte dhënë urdhër mbrojtës.
Nga Policia e Kosovës nuk kanë dhënë kurrfarë përgjigje se pse nuk është zbatuar asnjëherë Ligji për Mbikëqyrjen Elektronike. Ata as nuk kanë treguar nëse kanë bërë ndonjë përpjekje në këtë drejtim me hapje të tenderëve për t’i siguruar pajisjet që mundësojnë implementimin e ligjit në praktikë.
Për njohësit e drejtësisë, urdhri i mbrojtjes nga Gjykata nuk ka kuptim pa implementimin e Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike.
“Nëse nuk ka pajisje adekuate, nëse nuk ka mbikëqyrje në kohë reale ashtu siç e përcakton ky ligj, këto vendime, këta urdhra mbrojtës të gjykatës qartazi janë të paefektshëm”, ka thënë Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Ashtu si në Polici, as në MPB nuk kanë dhënë detaje për mosimplementim të këtij ligji.
Sipas platformave online të blerjeve, vlera e një pajisjes së mbikëqyrjes elektronike kushton nga 100 deri në 200 euro.
“Nuk duket se krijon barrë të madhe buxhetore blerja e pajisjeve të tilla për Policinë.. Nëse nuk ka bërë as kërkesë buxhetore, nëse nuk e ka trajtuar fare ekzistimin e këtij ligji, definitivisht që edhe Policia e Kosovës duhet të mbajë përgjegjësi”, ka deklaruar Shala.
KOHA i ka kontaktuar ish-drejtorët gjatë mandatit të të cilëve ka qenë në fuqi ky ligj, mirëpo disa ishin të paqasshëm e disa thanë se nuk duan ta komentojnë çështjen.