Arbëri

Lista Serbe paralajmëron ankesë në Kushtetuese për emërimin e Rashiqit si ministër

Lista Serbe ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për ta emëruar Nenad Rashiqin ministër për Komunitete dhe Kthim, pa pëlqimin e deputetëve serbë, është antikushtetues. Ajo ka paralajmëruar ankesë në Gjykatën Kushtetuese. 

Nga Lista Serbe thuhet se ky është “shembulli më i mirë i një veprimi autokratik, diktatorial, antikushtetues e ilegal”.

“Konkretisht, me këtë emërim, Albin Kurti ka shkelur nenin 96, paragrafin 5 të Kushtetutës, ku thuhet se për emërimin e një ministri nga radhët e popullit serb, i cili nuk është deputet, duhet pëlqimi i shumicës së deputetëve serbë, të cilën Albin Kurti nuk e ka bërë, e as Rashiq nuk e ka mbështetjen e deputetëve tanë”, thuhet në reagimin e Listës Serbe, raporton “Kosovo Online”. 

Lista Serbe ka thënë se ky “veprim tregon se sa me rëndësi ka qenë verifikimi i mandateve të deputetëve të Listës Serbe”.

“Kjo tregon se sa me rëndësi strategjike ishte verifikimi i mandateve të deputetëve të Listës Serbe, dhe moslejimi i disa serbëve të Kurtit që të vendosin për interesat e popullit serb”, ka thënë Lista Serbe.

Rashiq e ka zëvendësuar në postin e ministrit Goran Rakiqin, i cili kishte dhënë dorëheqje tri javë më parë.