Arbëri

Rama për vrasjen e gruas shtatzënë: Kjo situatë të trajtohet si alarmante

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar për vrasjen e një gruaje shtatzënë të mërkurën mbrëma, përpara Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK.

Rama ka shkruar në Facebook se situata me vrasjen e grave duhet të trajtohet si alarmante.

“Jam thellësisht i tronditur nga ngjarja që ka ndodhur sonte në Prishtinë, në oborrin e Klinikës Gjinekologjike, ku një grua e re që priste të bëhej nënë, u vra bashkë me foshnjën e saj ende të palindur. Ky është rasti i dytë i vrasjes së grave brenda një jave dhe kjo situatë duhet të trajtohet si alarmante nga institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë. I shpreh ngushëllime të thella familjes së viktimës duke shpresuar se ky do të jetë rasti i fundit i dhunës e vrasjes së grave në Kosovë”, ka shkruar Rama.