Arbëri

Gazetari gjerman tregon arsyen pse hoqi një pjesë të intervistës me kryeministrin Kurti

Gazetari i gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Michael Martens, ka treguar pse ka hequr nga intervista që ka bërë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, një pjesë ku Kurti thoshte se ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier e kishte paralajmëruar për gjendjen e sigurisë në veri.

“Kurti tha se ishte dakord për një kompromis në ‘krizën e targave’, pasi ishte paralajmëruar nga ambasadori amerikan në Prishtinë se situata në veri të Kosovës ‘mund të përkeqësohet rëndë dhe në mënyrë të pakthyeshme’. Ambasadori amerikan ‘kishte më shumë informacion se unë’ për situatën në veri, theksoi z. Kurti, duke përmendur ‘shqetësimet e sigurisë’, pa hyrë në detaje”, ka bërë të ditur Michael Martens, gazetar i “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

Por, Martens, në arsyetimin e tij në Twitter të martën, ka thënë se e ka hequr atë pjesë, pasi intervista ishte tepër e gjatë. Ai ka thënë se “nuk ka nevojë për teori konspiracioni.

“Disa njerëz duket se e konsiderojnë skandal (apo duan ta kthejnë në të tillë) që ambasadori i SHBA-së në momente të caktuara mund të di më tepër për situatën e sigurisë në rajone të caktuara (në këtë rast në veri të Kosovës) sesa një kryeministër. Por a është ky skandal? Z. Kurti ka bërë deklaratën gjatë bisedës sonë të regjistruar dhe më vonë autorizoi atë në transkriptimin e asaj bisede, që iu dha paraprakisht ekipit të tij, para se të publikohej, pasi disa tema për të cilat folëm (jo pjesa e ambasadorit) ishin potencialisht të ndjeshme. Pasi intervista ishte tepër e gjatë (ta dini, se Kosova nuk është çështje e madhe në Gjermani), kam hequr disa pjesë të versionit të autorizuar, që kishin më pak interes për lexuesit tanë. Në mesin e tyre edhe atë pjesë të ambasadorit amerikan. Kaq është. Nuk ka nevojë për teori konspiracioni”, ka shkruar Michael Martens.