Arbëri

Institucioneve u kërkohet angazhim për anëtarësimin e FSK-së në NATO

Descriptive Text

Nën duartrokitje e brohoritje të qytetarëve, Togu Ceremonial i Forcës së Sigurisë të Kosovës parakaloi në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet, në nder të 110- vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Në këtë datë, në të cilën shqiptarët kujtojnë edhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qytetarët kërkuan angazhim nga institucionet që Forca e Sigurisë të bëhet pjesë e NATO-s, aleancës më të madhe ushtarake të botës.

“Është përgjegjësi e shtetit që të bëjë përmirësimin e të gjitha kushteve në llogari apo në dobi të forcimit të ushtrisë, të gjitha ato mjetet që i duhen, që unë e di se e kam kryer edhe vetë shërbimin ushtarak, që për momentin mungojnë, por me shpresë që më vonë të bëhen”, tha qytetari Fatmir Makolli.

E, sipas njohësit të sigurisë, Nuredin Ibishi, Forca e Sigurisë është në rrugë të mirë për t’u anëtarësuar në NATO, por thekson se brenda tre vjetëve kjo nuk mund të ndodhë.

“Ne kemi pasur fat që kemi pasur mbikëqyrje dhe asistencë nga NATO-ja, kemi marrë pjesë në manovra e trajnime ndërkombëtare, kjo do të ndikojë në standardizimin e punës tonë, kjo e bën një mundësi më të mirë të anëtarësimit, sesa do të shkojmë në një krah me këtë, ajo varet nga ajo edhe se kemi disa vende që janë anëtare të NATO-s, por unë mendoj se do të kemi një konsensus, pa marrë parasysh njohjen dhe kjo do t’i kalojë”, tha Ibishi.

123 milionë janë ndarë për FSK-në në buxhetin e vitit të ardhshëm. Sipas Ibishit, është lajm i mirëpritur rritja e buxhetit, por nuk është i mjaftueshëm për të modernizuar këtë institucion.

FSK-ja ka marrë mandat ushtrie në vitin 2018, por sipas planit gjithëpërfshirës transicioni thotë që tek në 2028-n mandati mund të ushtrohet plotësisht.