Arbëri

Osmani relativizon peshën e dokumentit që ia ndalon FSK-së të veprojë në veri

Vjosa Osmani - FSK - dita e flamurit

Dyert e Kazermave të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë qëndruar të hapura për qytetarët gjatë ditës së diel, me rastin e Ditës së Forcës.

Kazermën “Adem Jashari” në kryeqytet e vizitoi presidentja Vjosa Osmani, e cila bashkë me komandantin e FSK-së, Bashkim Jashari, panë nga afër automjetet e armët e ushtrisë.

Osmani tha se Forca e Sigurisë e ka vendin në NATO.

“Janë katër shtete anëtare të NATO-s të cilat akoma nuk e kanë njohur Kosovën. Me to jemi duke biseduar një formulë të caktuar të cilën ato do ta mund ta pranoni e cila është përdorur edhe në raste të mëhershme, por që nuk do ta bllokonte Kosovën në Partneritetin për Paqe si hap i parë pastaj drejt anëtarësimit në NATO”, tha Osmani.

Në këtë ditë, presidentja Osmani, e cila është edhe komandante supreme e FSK-së, foli për një zotim të shkruar që autoritetet e kanë dhënë më herët, për të mos dërguar njësite të ushtrisë në veriun e banuar me serbë, pa marrë miratimin paraprak nga NATO-ja. Ajo e relativizoi fuqinë që ka ky dokument.

“Dokumentet të cilat kanë të bëjnë me pjesë të caktuara të territorit kanë fuqi atëherë kur ratifikohen në Kuvend. Pra ne nuk kemi çka flasim për shfuqizime. Dakordimi që ne si institucione aktuale e kemi me NATO-n është që koordinimi ynë me NATO-n është për gjithë territorin e Kosovës dhe ne nuk diskutojmë për zgjidhje specifike, për pjesë specifike, vetëm për tërë territorin të pandashëm dhe të pacenueshëm dhe atë koordinim e bëjmë si për Istog, si për Prizren, si për Gjilan si për Mitrovicë si për çdo pjesë të Republikës së Kosovës”, tha Osmani.

FSK-ja ka marrë mandat ushtrie, por një plan gjithëpërfshirës tranzicioni thotë që tek në 2028-n mandati mund të ushtrohet plotësisht.

Pjesëtarë të Sigurisë së Kosovës thanë se duhet të rriten kapacitet fizike për rritjen e performancës së këtij institucioni.

“Për ne është ditë e rëndësishme pasi ne shërbejmë këtu dhe Forcën kemi dëshirë ta shohim lartë e më lartë. Ende kapacitetet fizike nuk janë plotësuar dhe ka nevojë edhe për shumë ushtarë të rinj”, tha rreshteri i FSK-së, Mërgim Morina.

Me rastin e Ditës së Flamurit, të hënën do të parakalojë në sheshet e Prishtinës drilli ushtarak i togut ceremonial të FSK-së.