Arbëri

Petkoviq: Afati vlen vetëm për formimin e Asociacionit

Drejtori i të ashtuquajturës zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk ka caktim afatesh për të arritur marrëveshje përfundimtare. Në një deklaratë për media të shtunën, kryenegociatori serb ka thënë se “i vetmi afat është për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

“I vetmi afat që po troket është për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, për të cilin Prishtina është vonuar gati 10 vjet, dhe për këtë do të ishte mirë që Kurti të fokusohej në përmbushjen e atij obligimi dhe ta implementojë atë që është nënshkruar në Bruksel”, ka thënë Petkoviq.

Sipas tij, “afatet tjera janë vetëm në kokën e Kurtit”.

Petkoviqi ka shtuar se Kosova “vetëm mund të ëndërrojë që Serbia do ta njohë, një pjesë të territorit të saj, si shtet”.

Të hënën që shkoi Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dështuan në arritjen e një pajtimi për çështjen e targave ilegale të lëshuara nga Serbia. Kurti akuzoi ndërmjetësin, Josep Borrell, se në takim ka hequr dorë nga diskutimet për marrëveshje finale, edhe pse thoshte se në ftesë ishte kjo çështje. Madje kryeministri pati thënë se gjatë verës ka pasur pajtim që një marrëveshje, mbi planin franko-gjerman, të arrihet deri në mars të 2023-s.

Dy ditë më pas u arrit një pajtim për targat, por u përfshi edhe çështja që “me urgjencë” të ketë koncentrim në propozimin për normalizim të marrëdhënieve, por pa u përmendur ndonjë afat kohor.