Arbëri

Haxhiu për jurisprudencën: Gjyqësori po i godet kandidatët duke menduar ta godasë Qeverinë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se sistemi i drejtësisë duke menduar që po e godet Qeverinë është duke i goditur kandidatët me shtyrjen e provimit të jurisprudencës.

Haxhiu ka thënë të shtunën se provimi është shtyrë për shkak të situatës së krijuar pas vendimit të Qeverisë për uljen e pagave në sistemin gjyqësor.

“Sigurisht që sa i përket shtyrjes së provimit të jurisprudencës nuk është lajm i mirë dhe kjo në radhë të parë është në kundërshtim me interesat e kandidatëve të cilët kanë aplikuat për t'iu nënshtruar këtij provimi. Sistemi i drejtësisë duke menduar që po e godet Qeverinë në fakt po i godet kandidatët, qytetarët e këtij vendi. Kemi marrë një shkresë nga ana e kryesuesit të Këshillit Gjyqësor e Komisionit të Provomit të Jurisprudencës, Zogaj që të shtyhet ky provim për shkak të situatës aktuale, që ndërlidhet me vendimin e paligjshëm që Qeveria jonë e ka shfuqizuar sepse ishte i paligjshëm. Dhe në këtë drejtim pas këtij vendimi ata kanë marrë veprime të tilla që kanë pezulluar punën në komisionet që propozohen në Ministrinë e Drejtësisë dhe që përbërja e tyre është prej gjyqtarëve e prokurorëve”, ka thënë Haxhiu.

Këtë javë kandidatët e kanë marrë një email nga ministria që tregon se provimi shtyhet, por pa cekur datë apo arsye konkrete.