Arbëri

MSH-ja insiston në certifikatën e cilësisë për insulina, eksperti i OSHP-së kundër

Descriptive Text

Eksperti i OSHP-së ka bërë vlerësimin e dytë pas një muaji rreth tenderit për insulina dhe vendimi i bordit pritet të merret brenda dy javësh. Javën e kaluar eksperti i angazhuar për këtë rast, Agim Sheqiri, ka ardhur në përfundim që tenderi për insulina mund t’i jepet edhe një kompanie që nuk ka certifikatë të sigurisë, cilësisë e efikasitetit. Kjo ka qenë njëra nga katër çështjet për të cilat ai dhe MSH-ja kanë kundërshtime. Ministria e Shëndetësisë e ka akuzuar Sheqirin që ka lëshuar ekspertizë, edhe pse nuk e njeh fushën e barnave. KOHA ka kontaktuar anëtarët e OSHP-së dhe ekspertin Sheqiri, të cilët nuk janë përgjigjur. Zyra për informim e Ministrisë së Shëndetësisë ia ka përcjellë KOHËS komunikimin zyrtar me ekspertin, ku është argumentuar për çështjet e ngritura

Eksperti i Organit Shqyrtues të Prokurimit, Agim Sheqiri, ka përfunduar ekspertizën e dytë për rastin e blerjes ose jo të produkteve mjekësore pa Autorizim Marketingu, dokument ky që jep dëshmi për kualitetin, sigurinë e efikasitetit të barit, por edhe për disa pika të tjera të diskutueshme që lidhen me validitetin e ofertës, komisionin vlerësues të MSH-së dhe përfshirjen e UNOPS-it në sigurimin e insulinave.

Sikurse herën e parë para me shumë së një muaji, edhe në ekspertizën e nxjerrë javën e kaluar Sheqiri konsideron që Ministria e Shëndetësisë nuk mund ta anulojë tenderin për blerjen e insulinave për mungesë të Autorizim Marketingut.

Ky tenderi është bllokuar në OSHP prej vitit 2020, e furnizimi me insulina është bërë përmes UNOPS-it e tenderëve emergjentë, gjatë së cilës procedurë certifikata e cilësisë ka qenë obligative.

Derisa Ministria e Shëndetësisë nuk pranon të heqë dorë nga garantimi i cilësisë përmes Autorizim Marketingut, OSHP-ja nuk e ka parë këtë të domosdoshme.

Mospajtimet mes MSH-së dhe OSHP-së i shpërfaq komunikimi mes zyrës së prokurimit të Ministrisë dhe ekspertit të OSHP-së, Agim Sheqiri. Ai nuk ka pranuar të flasë për KOHËN e MSH-ja ka vënë në dispozicion komunikimin e plotë mes tyre.

Ministria e Shëndetësisë e ka anuluar këtë tender disa herë, por OSHP-ja e ka rikthyer në rivlerësim. Së fundmi në tetorin e muajit të kaluar.

Arsyeja e parë që MSH-ja ka anuluar atë është validiteti i ofertës, i cili, sipas Ministrisë, është i skaduar. Por, sipas dokumentacionit zyrtar, eksperti Sheqiri ka kundërshtuar një kusht të tillë, duke thënë se MSH-ja ka qenë e obliguar t’ua kërkojë vazhdimin e afatit të ofertave kompanive.

“Eksperti konsideron që në asnjë rrethanë Autoriteti Kontraktues nuk mund të justifikojë papërgjegjësinë e tyre në dëm të Operatorit Ekonomik, pasi që Operatori Ekonomik konsiderohet se heq dorë nga aktiviteti i prokurimit në momentin kur e pranon njoftimin për zgjatje të validitetit dhe nuk e konfirmon zgjatjen e vlefshmërisë”, thuhet në ketë ekspertizë.

Eksperti e ka mbështetur këtë argument në një vendim të OSHP-së të vitit 2014.

Megjithatë në përgjigjen e Ministrisë janë bashkangjitur tetë vendime të OSHP-së që datojnë prej vitit 2018 deri në këtë vit, duke përfshirë edhe bordin aktual e që kanë vendosur që tenderë të caktuar të anulohen për shkak që afati i ofertave ka skaduar.

“Pra eksperti shqyrtues, duke e përmendur një rast të vitit 2014, prej atëherë në vend së të trajtojë dhjetëra raste më të reja që ka në dispozicion, konsiderojmë se ka pasur tendencë që të interpretojë në mënyrë të njëanshme dhe jo të saktë qasjen e praktikës së OSHP-së në lidhje me këtë çështje. Ministria e Shëndetësisë zotohet se do të marrë masat përkatëse që shkeljet e zyrtarëve të vet t’i adresojë përmes procedurave disiplinore të përcaktuara e të specifikuara në Ligjin për Zyrtarët Publikë”, është kundërpërgjigjja e Ministrisë së Shëndetësisë.

Eksperti Sheqiri ka kundërshtuar edhe kushtëzimin e MSH-së që kompanitë të posedojnë Autorizim Marketingun, për çka MSH-ja i është përgjigjur se është obligim i domosdoshëm ligjor, siç është edhe licenca e mjekut.

“Arsyetimi për anulim të aktivitetit të prokurimit se Komisioni i rivlerësimit konsideron se për insulina analoge kërkesa e MSH-së duhet të jetë vetëm me Autorizim për Marketing, konform dispozitave që parashihen me Ligjin për Produkte dhe Pajisje Mediciniale, është justifikim i paqëndrueshëm për arsye se Autoriteti Kontraktues në dosje të tenderit, përveç kërkesave të tjera kualifikuese, ka paraparë si në vijim: Kërkohet regjistrimi i barit – Autorizimi për Marketing nga AKPPM-ja, me specifikimin e kërkuar të produktit. Në rast se nuk ka paralele të regjistruara në Kosovë, vlen UA 02-2014”, ka thënë ai në këtë ekspertizë.

Por MSH-ja konsideron që Udhëzimi Administrativ nuk mund të ketë fuqi me të madhe se ligji në këtë rast.

Komunikimi mes ekspertit Sheqiri e zyrës së prokurimit të MSH-së ka vijuar edhe rreth përbërjes së komisionit vlerësues të MSH-së. Të gjithë anëtarët e komisionit që në rivlerësim kanë anuluar tenderin janë endokrinologë.

“Ministria e Shëndetësisë është kritikuar pse ka vendosur endokrinologë në vlerësimin e ofertave për insulina. Ministria e Shëndetësisë sqaron se insulinat janë produkt i cili kërkon njohuri specifike dhe të avancuara të fushës dhe këtë lëndë nuk mund ta trajtojë nga këndvështrimi teknik i thjeshtë i vlerësimit të validitetit të ofertave. Ndoshta, të njëjtën qasje do të duhej ta kishte edhe OSHP, ku për këtë çështje do të caktonte një specialist të fushës dhe jo një ekspert i cili nuk ka as edukim nga fusha e shëndetësisë dhe as ajo ligjore. I njëjti mund ta njohë mirë legjislacionin e prokurimit publik, mirëpo barnat dhe pajisjet medicinale i nënshtrohen së pari legjislacionit shëndetësor, pra Ligjit për Produkte dhe Pajisje Medicinale e pastaj Ligjit të Prokurimit Publik”, thuhet në kundërpërgjigjen e tyre.

Më tej eksperti i OSHP-së e ka trajtuar edhe faktin që UNOPS, njësi që merret me prokurimin për nevojat e organizatave të Kombeve të Bashkuara e që për më shumë së një vit në kohën e pandemisë ka kryer blerjet për Ministrinë e Shëndetësisë, nuk kanë pranuar që tender të fitojë dikush që nuk ka këtë lloj certifikate. Sipas Sheqirit, UNOPS-i nuk ka pasur fare të drejtë të merret me prokurim dhe se “me këtë çështje duhet të merren institucionet e tjera”.

UNOPS-i ka kryer prokurimin në bazë të një marrëveshjeje ndërkombëtare, e cila ishte ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.

Tenderi për insulina është iniciuar që prej vitit 2020, por që nuk ka arritur ende të përmbyllet. Edhe dy javë i ka në dispozicion bordi i OSHP-së që të vendosë edhe njëherë nëse i jep të drejtë ekspertit të vet apo Ministrisë së Shëndetësisë, ndërkohë që insulinat në stok janë drejt fundit.