Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, ia ka kujtuar Vetëvendosjes qëndrimin e saj të para disa vitesh, kur Qeveria Haradinaj pati vendosur t’i rriste pagat për vete dhe për zyrtarët në sistemin e drejtësisë. Atë kohë, Vetëvendosje kishte thënë në ankesën në Gjykatën Kushtetuese se vetëm Kuvendi ka kompetencë të vendosë për pagat shtetërore, përmes ligjit, dhe se Qeveria s’e ka kompetencën që me vendime të ngritë apo zbresë paga.
Në vitin 2017, Qeveria Haradinaj pati vendosur për dyfishim të pagës së vet, duke ndikuar direkt në ngritjen e pagës në sistemin e drejtësisë. Ndaj vendimit, Vetëvendosje që atë kohë ishte opozitë, ishte ankuar në Gjykatën Kushtetuese. Kjo gjykatë megjithatë i pati dhënë të drejtë vendimit të Qeverisë.
Sidoqoftë, kur Vetëvendosje erdhi në pushtet në vitin 2020 pati vendosur për t’i ulur pagat e zyrtarëve qeveritarë, por pa i prekur ato në gjyqësor. Të mërkurën, Qeveria Kurti 2 vendosi t’i kthente pagat në drejtësi, sikur para rritjes në kohën e Haradinajt. Menjëherë më pas miratoi Projektligjin për paga, për të cilin thotë se krijon “piramidën e duhur” të pagave në vend. Shoqëria civile ka kritikuar Qeverinë duke thënë se kjo është e kundërligjshme e se paraqet ndërhyrje në drejtësi dhe rrezik për shtim të korrupsionit në drejtësi.
Sipas Miftarajt, IKD-ja ka qenë konsistente në qëndrimet e saja për këtë çështje. Ka kundërshtuar vendimin e Qeverisë Haradinaj për rritje page, por edhe atë të Gjykatës Kushtetuese që i pati dhënë të drejtë Qeverisë. Por, siç shkruan Miftaraj, vendimet e gjykatave duhet të zbatohen edhe nëse nuk pajtohesh me to.
“IKD-ja ka reaguar kundër vendimit të Qeverisë Haradinaj. Ka reaguar edhe kur nuk është pajtuar me vendimin e Kushtetueses që e ka legalizuar vendimin e Qeverisë Haradinaj. Sidoqoftë, IDK-ja nuk ia jep të drejtën vetes të bëjë ftesë publike që të mos zbatohen vendimet e gjykatave të rregullta dhe asaj Kushtetuese. Edhe pse nuk jemi pajtuar me vendimin e Kushtetueses, për ne ai vendim është ligj i aplikueshëm dhe duhet të zbatohet”, ka shkruar drejtori i IKD-së në profilin e tij në Facebook.
Ai konsideron se “vendimi i Qeverisë Kurti për ta shfuqizuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese është i kundërligjshëm dhe kundër standardeve të vendosura nga Komisioni i Vencias”.
“Vendimi i Qeverisë Kurti e shfuqizon aktgjykimin e Kushtetueses. Kjo s’do koment. Edhe juristi i vitit të parë e kupton se kjo është e kundërligjshme. Vendimi i Qeverisë Kurti është në kundërshtim me standardet e vendosura nga Komisioni i Venecias, se pagat e gjykatësve dhe prokurorëve nuk mund të zbriten me vendime ekzekutive nga Qeveria”, ka shkruar Miftaraj.