7 perditesime
12:15

Opozita e akuzon për mostransparencë, Kurti: Unë s’mundem pa ju

Pas sqarimeve që kryeministri Albin Kurti, i ka dhënë për dakordimin e arritur në Bruksel për targat, në seancën e së enjtes, ka reaguar kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Sipas tij, e vërteta është më ndryshe. “Kryeministër faleminderit për sqarimet të cilat nuk po më vijnë si befasi, por e vërteta është ndryshe. Keni shkuar në Bruksel dhe keni diskutuar për një punë që s’ka pasur nevojë sepse ka qenë kompetencë e jotja dhe e Qeverisë. A e ke ndryshuar vendimin e Qeverisë për atë sekuencën e veprimeve të Qeverisë lidhur me tabelat. Sepse nëse ai është në fuqi ende, nuk mund të jetë deklarata e Borrellit më e rëndësishme sesa vendimi i Qeverisë. T’i duhet ta ndërrosh në Qeveri atë vendim. Për ta ndërruar duhet të shkosh në qeveri jo të shkosh në Bruksel e të bisedosh me Vuçiqin”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai ka theksuar se është mirë që Kurti është duke e kuptuar rëndësinë e procesit të dialogut.

“Qenka pak ma telashe nëse s’është as dakordim e as marrëveshje por vetëm deklaratë e Borellit. Unë të thashë nuk është fer ta bësh këtë lojë, Borrellin nuk e kemi zgjedhur ne, ti e ke pëlqyer pak më shumë se ne, ai i njëjtë është si Ashton e Mogherini. Marrëveshja është terminologji prej fillimit, mirë që je duke e kuptuar rëndësinë e procesit. E ke kuptuar që duhet bashkërendim the që nuk do me ec vetë nuk mund të ecësh vetë sepse ky Kuvend e jep fjalën e fundit”, ka theksuar Krasniqi.

Pas kësaj ka reaguar kryeministri Kurti, duke thënë se dallimi në mes të deklaratës që u është ofruar të hënën dhe asaj që u është ofruar të mërkurën është shumë i madh, derisa ka arsyetuar me konfidencialitet të bisedimeve mospublikimin e tyre. “Unë e përmenda dallimin e numrit të fjalëve të deklaratës së të hënës me atë të ditës së mërkurë se nuk janë identike, kanë dallim shumë të madh. Unë po jam transparent për procesin, por jemi zotuar për konfidencialitet të bisedimeve, që të mos fajësohet Kosova, unë dhe ne, unë nuk po e publikoj atë, Por është dallim drastik e hëna me të mërkurën. Këto do të dalin, s’do të vonojnë shumë, por dallimi është drastik”, është shprehur Kurti.

Sipas Kurtit Serbia i ka refuzuar tetë propozime që janë dhënë gjatë gjashtë muajve në negociatat për targat.

“Përshtypja ime është se Serbia i ka refuzuar për shkak që të gjitha kishin reciprocitetin brenda dhe në anën tjetër kishte nisur lufta në Ukrainë. Ne e kemi diferencuar qasjen. Unë nuk kam mundur të pranoj 12 ose 10 muaj se do ta pranoja paaftësinë e shtetit të Kosovës. Dhe tash nuk lëshohen targa më në veri, dhe është shumë mirë se këtyre u del regjistrimi dhe s’ka më regjistrime”, ka theksuar Kurti.

Ai ka theksuar se pajtohet me atë që Kuvendi e ka fjalën e fundit, dhe sipas tij e ka fjalën rregullisht.

Ka theksuar se ai është në Kuvend shumë më shpesh sesa disa deputetë.

“Unë as nuk mundem pa juve, as nuk dua pa juve, mirëpo edhe ju duhet ta pranoni një gjë, se e keni kryeministrin më të rregullt në Parlament sesa shumë deputetë. Shumë deputetë vijnë shumë më rrallë se unë, e unë për ta jam këtu”, ka theksuar Kurti.

Ndaj deklaratave të Kurtit kanë reaguar edhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, si dhe ai i AAK-së, Besnik Tahiri.

Zemaj ka theksuar se kryeministrin Kurti, edhe Kushtetuta e edhe ligji e obligon që të jetë në Kuvend. Ai ka thënë se LDK-ja e vlerëson qasjen që Qeveria ka ndjekur në dialog dy ditët e fundit. “Edhe këtë qasjen e djeshme dhe të sotshme në dialog, nuk e shohim si dobësi, por si reflektim, edhe reflektim pozitiv, mos mendoni që e shohim dobësi si opozitë dhe duhet të ju sulmojmë në këtë pikë”, ka theksuar Zemaj, duke shtuar se ky reflektim duhet të vazhdojë.

Ai ka thënë se njoftimet për procesin e dialogut duhet t’i bëjë vetë kryeministri në Kuvend.

Ndërsa Besnik Tahiri, ka theksuar se Kuvendi i duhet kryeministrit vetëm kur “t’i vije ngushtë”.

“Ty kryeministër ky Kuvend të duhet vetëm kur të vjen ngushtë, të ka ardhur ngushtë për referendum, e ke sjellë rezolutën, të ka ardhur ngushtë me zgjedhjet në Serbi, ta kemi mbështetur, sot po rrimë qetë sepse po e dimë që vendi ka qenë në rrezik”, ka deklaruar Tahiri.

11:42

Kurti: Borrelli ka ndryshuar deklaratë, jo ne qëndrim

Kryeministri Albin Kurti ka instituar se Qeveria nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket targave ilegale që qarkullojnë në veri të vendit, por sipas tij, përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka ndryshuar deklaratë çka ka mundësuar arritjen e dakordimit të mërkurën.

Kurti në seancën e Kuvendit ka thënë se ajo që u arrit të mërkurën nga pala kosovare dhe ajo serbe nuk është marrëveshje, por një dakordim.

“Të hënën më është ofruar një dokument si dakordim i përbashkët i cili ka pasur 95 fjalë, dhe fjalët Francë e Gjermani s’kanë qenë askund. Nuk i referohet propozimit franko-gjerman, përveç çështjes së targave te çështja e këtij propozimi. Nuk thuhet propozimi, por thuhet se do zgjidhet çështja e targave sipas atij propozimi, pa thënë franko-gjerman, 95 fjalë. Ndërsa, kjo mbrëmë që u dakordua i ka 194 fjalë”.

“Nuk është marrëveshje, është një dakordim sepse shikoni çfarë thotë në titull, është deklaratë e Borrellit. Ajo çfarë është bërë mbrëmë, është ndryshuar deklarata e Borrellit, ne nuk kemi ndryshuar qëndrim, Borreli ka ndryshuar deklaratë dhe kjo është shumë mirë. Marrëveshja e mbrëmshme nuk është marrëveshje për targat. Nuk do bëjmë gjobitje për targat KM dhe do t’i japim hapësirë negocimit propozimit evropian që më herët quhej franko-gjerman”, ka theksuar Kurti.

Kurti ka shtuar se qëllimi ka qenë që propozimi franko-gjerman të futej si çështje bisedimi në Bruksel për normalizimin e marrëhdënieve me Serbinë.

“Qëllimi ynë ishte që propozimi franko-gjerman për normalizim, përmes një marrëveshje ligjërisht të obligueshme të bëhet çështja e bisedimeve në Bruksel drejt arritjes së një dakordimi i cili shteti tonë që është normal e demokratik ia bashkëngjit edhe një raport normal me Serbinë. Ishte e qartë nga deklarata e zvpresidentit të Komisionit Evropian, Borrell, se një gjë e tillë nuk ishte përfshirë në diskutimet e ditës së hënë, tash ajo figuron saktësisht dhe me status të qartë në paragrafin e parë. Nuk ka qenë në ditëne hënë, në tekstin që më është ofruar mua. Për herë të parë dialogu hyn në një fazë të negocimit mbi kornizën e përgjithshme që do t’i zgjidhë problemet fundamentale nga prizmi I të drejtës ndërkombëtare”.

Kurti ka deklaruar se çështja e targave ka qenë teknike, por pasojat e një të tille kanë mundur të jenë politike.

“Çështja e targave është teknike e administrative, por duhet ta pranoj se në shtatorin e vitit të kaluar ne kemi filluar të mos e trajtojmë si çështje teknike prej kur ambasadori rus në Beograd erdhi në Jarinjë e Bërnjak që të inspektojë grumbullimin e trupave serbe e lart në ajër e ngritën një avion MIG29. Kjo njëmend për targa është dhe është teknike, por pasojat janë edhe më shumë se politike. Prandaj jam dakorduar që pika aktuale në dialog të jenë çështjet aktuale”.

Ai ka thënë se nuk mund t’ua kërkojë kthimin në institucione serbëve që dhanë dorëheqje pasi tha se ishte “akt individual” i tyre. Ka deklaruar tutje se kthimi i serbëve në pozita “është çështje ligjore dhe kushtetuese, kthimi i serbëve nuk mund të bëhet politikisht”.

Sipas Kurtit, dallimet mes deklaratës së të hënës dhe të mërkurës mbi targat, janë “drastike” dhe ato do të dalin, ka thënë ai duke shtuar se nuk po e publikon ai që “të mos fajësohet Kosova”.

“Serbia i ka refuzuar 8 opsionet që ishin dhënë gjatë 6 muajve negociata për targat. Përshtypja ime është Serbia i ka refuzuar për shkak që të gjitha kishin reciprocitetin brenda dhe në anën tjetër kishte nisur lufta në Ukrainë. Ne e kemi diferencuar qasjen. Unë nuk kam mundur të pranojë 12-10 muaj se do ta pranoja paaftësinë e shtetit të Kosovës. Dhe tash nuk lëshohen targa më në veri, këtyre që u del regjistrimi s’ka më regjistrime. Unë pajtohem plotësisht kuvendi e ka fjalën e fundit unë nuk mundem pa juve po as ju nuk mundeni pa mua. E keni kryeministrin më të rregullt në parlament se shumë deputetë. Shumë deputetë vijnë më rrallë se unë, e unë për ta vij”.

11:25

Haradinaj: Evituam rrezikun që mund të përfundonte me viktima

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se me marrëveshjen e arritur të mërkurën për targat, është evituar rreziku për përshkallëzim të veriut.

Sfida tash, shtoi Haradinaj, është rikthimi i zyrtarëve serbë që kishin lënë punën në institucione.

“Kemi disa ditë që kemi drejtuar situatën në veri. Me marrëveshjen e djeshme e kemi evituar rrezikun e parë që mund të kishte viktima qofshin policë apo qytetarë serbë. Por dje me marrëveshjen nuk është zgjidhur situata në veri. Sfida që na pret është rikthimi i atyre që i kanë lëshuar vendet e punës apo plotësimi i pozitave. Qeveria duhet të fillojë dialogun me serbët lokalë”, ka thënë ai në seancën e Kuvendit.

Haradinaj ka thënë se nuk duhet eksperimentuar dhe se duhet dëgjuar ndërkombëtarët.

“Në interpelancën e ardhshme me kryeministrin do të bisedojmë për dy pika që i kemi në rezolutën tonë. E kam ditur që do të vijmë deri te kjo pikë meqë e kam lexuar Lajçakun e Escobarin kur qenë këtu se tërësia territoriale nuk është e negociueshme, sovraniteti nuk është i negociueshëm prandaj mos të eksperimentojmë”.

11:19

Zemaj: Kthimi dhe pranimi i marrëveshjes së njëjtë tregon qasjen joserioze që ka Qeveria

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka theksuar se ajo që ka ndodhur në Kuvend në dy javët e kaluara sa i përket çështjes së targave, ka qenë e panevojshme dhe e dëmshme.

Ai në deklarimet jashtë rendit të ditës, në seancën e Kuvendit që po mbahet të enjten, ka theksuar se në procesin e dialogu duhet transparencë.

“Rruga e vetme që garanton suksesin e Kosovës është bashkëpunimi me partnerët tanë dhe sidomos me SHBA-në. Atë që ka ndodhur në dy javët e fundit e kemi parë të panevojshme e të dëmshme. Kthimi dhe pranimi i marrëveshjes sw njëjtë tregon qasjen joserioze që ka Qeveria. Duhet transparencë në dialog jo deklarata kontradiktore dhe qasje selektive”, ka thënë Zemaj.

Ai ka theksuar se kanë parë qasje destruktive të Qeverisë Kurti në raport me sigurinë.

“Kemi parë edhe qasje destruktive në raport me sigurinë në vend dhe krimin e korrupsionin. Dje qeveria padrejtësisht ka ulur pagat e gjyqtareve dhe prokurorëve. Ulja e organeve është arbitrare dhe ndërhyrje e mbrapshtë në sistemin e drejtësisë”, ka deklaruar Zemaj.

11:17

Krasniqi për targat: Ishte kompetencë e kryeministrit, por u shndërrua në çështje negocimi me Vuçiqin

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se në javët e fundit është bërë shumë zhurmë që nuk është dashur të bëhet.

Në seancën e Kuvendit, ai ka shtuar se çështja e targave që ishte kompetencë e kryeministrit, “u shndërrua në “çështje të negocimit me Vuçiqin e BE-në”.

“Ke mundur ta marrësh këshillën që e kishe për më shumë se 5 javë. Fatkeqësisht duke mos bërë një gjë të tillë dhe duke u dorëzuar më vjen keq që ke shprehur një pafuqi të Kosovës duke mos mundur të implementosh vendimin për tabelat. Ke bërë edhe shpenzime të panevojshme për zgjedhjet. A do të kthehen serbët në institucionet e Kosovës? A do të ketë normalitet në veri siç ka qenë? Shpresoj e keni kuptuar që është koha për ta përfunduar dialogun”.

Krasniqi ka deklaruar se plani franko-gjerman nuk i adreson aspiratat e Kosovës, por se duhet të negocohet.

“Plani franko gjerman si draft aktual nuk i adreson aspiratat e Kosovës. Por angazhimi në negocimin e tij është i nevojshëm dhe ju inkurajoj ta bëni një gjë të tillë. Duke të inkurajuar për vendosmëri dhe fokus në arritje të marrëveshjes finale duhet t’i keni parasysh këto 5 shtylla. Ruajta e karakterit kombëtar, njohja formale nga 5 shtetet mosnjohëse, nisjen e procesit të anëtarësimit në NATO, marrjen e statusit të shtetit kandidat dhe njohjen e ndërsjellë me Serbinë”.

11:06

Muja: Ashtu siç ka insistuar Kurti, do të përshpejtohet dialogu për marrëveshjen për normalizim

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, në deklarimet jashtë rendit të ditës, të enjten në seancën plenare të Kuvendit, ka theksuar se pas arritjes së marrëveshjes për targat do të përshpejtohet dialogu për marrëveshjen për normalizim.

“Dje ndërmjetësi i BE-së njoftoi se ka një ujdi mes Kosovës dhe Serbisë. Ashtu siç ka insistuar kryeministri Kurti, do të përshpejtohet dialogu për marrëveshjen për normalizim. Ishte vendosmëria e Qeverisë së Kosovës për sundim të ligjit që e ka prodhuar këtë efekt. Këto ngjarje manifestojnë një ndryshim rrënjësor të pozitës se Kosovës karshi ngjarjeve në rajon e Evropë. Procesi do të jetë i vështirë, Serbia është e paparashikueshme dhe e pandershme në këtë proces. Për këtë arsye kërkohet mbështetje, LVV-ja ka mbështetur çdo herë interesin e vendit, kërkojmë nga opozita të respektojë këtë parim të rëndësishëm për interesat e vendit”, ka theksuar Muja.

10:50

Nis seanca e Kuvendit

Ka nisur seanca e parë për sot e Kuvendit të Kosovës, ku në rend të ditës do të jetë edhe propozimi i dy kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese.

Seanca e dytë pritet të nisë nga ora 14:00. 

09:15

Kuvendi i Kosovës sot mban dy seanca plenare

Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë dy seanca plenare. E para pritet të fillojë nga ora 10:00, ku në rend të ditës do të jetë edhe propozimi i dy kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese.

Ndërkaq, seanca e dytë do të fillojë në orën 14:00 dhe është vazhdim i senacës së mbetur në gjysmë, me pikat e papërfunduara nga seanca e 10 nëntorit.

Pikat e seancave:

Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme; Deklarimet jashtë rendit të ditës; Pyetjet parlamentare; Propozimi i dy (2) kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese; Rendi i ditës; Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, më 10 nëntor 2022: Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-168 për Prokurorinë Speciale, Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-187 për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit nr. 08/L-032 të Procedurës Penale, Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-188 për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit nr. 06/L-074 Penal i Republikës së Kosovës, Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-184 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-024 për trajtimin e ndërtimeve pa leje,Shqyrtimi i kërkesës së Fondit të Kursimeve Pensionale për caktimin e taksave vjetore për vitin 2023, Shqyrtimi i Raportit vjetor të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për vitin 2021, Shqyrtimi i Raportit vjetor të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës për vitin 2021, Shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës për vitin 2021,Shqyrtimi i Propozim të Qeverisë së Republikës së Kosovës, nr.09/99 datë 30 shtator 2022, për zgjedhjen e Komisionit Qendror të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave, Shqyrtimi i rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Telekomit të Kosovës për vitin 2021.