Arbëri

Batalli: Komunitetet në Kosovë s’e raportojnë diskriminimin

Komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas në Kosovë, përballen me diskriminim, por që sipas Vesa Batallit, ata nuk marrin guximin t’i raportojnë këto raste.

Sipas Batallit nga Organizata Joqeveritare VORAE, është kryer një hulumtim mbi gjendjen e komuniteteve në vend, dhe siç tha ajo, këta banorë hezitojnë të ankohen për diskriminimin.

“Sipas hulumtimit që kemi kryer për antigjipsizmin, pjesëtarët e komuniteteve hezitojnë t’i raportojnë rastet e diskriminimit. Kur i kemi pyetur pse, kanë thënë se edhe nëse i raportojnë, s’ka asnjë diferencë sepse nuk na marrin seriozisht”, tha ajo në "Sonte me Rronin" në KTV të mërkurën.

Batalli shtoi se antigjipsizmi është formë e racizmit që përdoret për termat “gjipsi” apo “magjup”.

Ajo tha se antigjipsizmi manifestohet në forma të ndryshme.

Organ Butiç u shpreh se komunitetet kanë dallime dhe ngjashmëri mes vete.

“Te romët, dallimi është gjuha, pra është gjuha rome. Ngjashmëria është te traditat dhe kulturat. Gjuha ka prejardhjen nga India”, tha Butiç nga VORAE, ndërsa Bajram Ilazi nga po e njëjta organizatë, shtoi se prejardhja e komuniteteve është dallimi bazë.

“Komuniteti ashkali është asimiluar dhe flet vetëm gjuhën shqipe. Në Kosovë jetojnë mbi 15 mijë ashkali, në dallim prej romëve apo egjiptianëve që janë rreth 10 mijë. Kemi simbole të ndryshme që bëjnë edhe një dallim tjetër. Për shkak të diskriminimit, këto komunitete kanë jetuar pothuajse në të njëjtin vend”, shtoi ai.