Arbëri

Komandanti i KFOR-it takohet me Sveçlën, bën thirrje të shmanget përshkallëzimi

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Angelo Michele Ristuccia, është takuar me ministrin e Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, për të biseduar për situatën aktuale në Kosovë.

Takimi ka ardhur pasi sot në Bruksel nuk është arritur një marrëveshje për targa mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa nga nesër në ora 8 të mëngjesit, Policia e Kosovës do të fillojë të gjobisë qytetarët që kapen me vetura me targa ilegale të lëshuara nga Serbia me akronime të qyteteve të Kosovës.

“Komandanti ka apeluar te të gjitha palët të evitojnë çdo veprim që mund të çojë në përkeqësim të situatës. Ai u ka bërë thirrje palëve të sillen me përgjegjësi dhe të marrin një pjesë aktive në ruajtje të sigurisë. Ai ka thënë se është me rëndësi të evitohen tensione të reja, pas atyre në gusht”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.

KFOR-i ka thënë se mbetet vigjilent dhe vazhdon ta zbatojë mandatin.

“Gjeneralmajori Ristuccia mbetet në kontakt të ngushtë me gjithë bashkëbiseduesit kryesorë, përfshirë komandantit e misionit të EULEX-it, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe Shefin e Forcave të Armatosura të Serbisë. KFOR-i mbetet vigjilent dhe vazhdon ta zbatojë mandatin e saj që i buron nga OKB-ja, me gjitha kapacitetet që ka në dispozicion, për të ruajtur një mjedis të sigurt. Qëllimi i misionit të KFOR-it është paqja dhe siguria në Kosovë. KFOR-i luan një vendimtar në ofrimin e sigurisë për të bërë dialogun e mundshëm. Komandanti i KFOR-it u bën thirrje palëve që të përmbahen nga veprimet e njëanshme apo retorikat që mund të çojnë në përshkallëzim”, thuhet nga KFOR-i.