Arbëri

Sindikatave u pëlqen kërkesa për rritje të pagave prej 30% me buxhetin e 2023-s

Kuvendi i Kosovës të enjten, do të shqyrtojë në lexim të parë projektligjin për buxhet. Partitë opozitare, PDK-ja dhe AAK-ja kanë kritikuar përmbajtjen e këtij drafti, duke thënë se nuk reflekton kërkesat në ekonomi dhe nuk garanton krijimin e vendeve të reja të punës. Në PDK kanë thënë se në buxhet mungojnë projektet e mëdha që i kishte proklamuar partia në pushtet. Ndërsa, AAK-ja insiston nën rritje të pagave prej 30 për qind me buxhet deri në miratimin e ligjit të pagave. Propozimi është përkrahur nga sindikatat e sektorit publik

Një ditë para se të diskutohet në Kuvendin e Kosovës, dy partitë opozitare, PDK-ja dhe AAK-ja, të mërkurën, kanë kritikuar përmbajtjen e projektbuxhetit për vitin 2023.

Arben Mustafa, koordinator i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në PDK, në një konferencë për media, ka thënë se ky projektbuxhet nuk i reflekton kërkesat e qytetarëve të Kosovës në ekonomi, krijim të vendeve të punës dhe ngritje të kualitetit të jetës.

“Ky buxhet më së shumti mund të quhet një kopje e dobët e vitit 2022, sepse në shumicën e rasteve është një përsëritje e vitit 2022. Këtij buxheti i mungon ambicia zhvillimore, i mungon orientimi se ku do të jetë Kosova në fund të vitit 2023 – se çfarë Kosove do të kemi në fund të vitit 2023”, theksoi ai.

Sipas Mustafës, buxheti i këtij viti ka rezultuar më i lartë në krahasim me vitet paraprake, kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve në ekonomi dhe jo për shkak të rritjes së aktivitetit ekonomik.

“Raporti i projektbuxhetit ka paraparë një rritje ekonomike prej 5.5 për qind për vitin 2023, që paraqet pothuajse dyfishim të normës së rritjes ekonomike nga viti aktual, e qe nuk përkon me parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore si institucionet më kredibile e të cilat sugjerojnë se rritja ekonomike në vitin 2023 nuk pritet të jetë më e lartë se rreth 3 për qind”, ka thënë ai.

Sipas tij, parashikimet e fryra të rritjes ekonomike në këto kushte të brishta janë një rrezik i lartë për qytetarin dhe Kosovën.

“Shembull konkret e kemi vitin 2022, kur kjo Qeveri me fjalë shumë të mëdha kishte prezantuar shifrën e buxhetuar të investimeve kapitale prej mbi 700 milionë euro, ndërsa tashmë kur ka kaluar pjesa më e madhe e vitit 2022, investimet kapitale të realizuara nuk rezultojnë të jenë më të larta se 200 milionë euro. Prandaj, në vend të numrave dhe fjalëve të mëdha, Qeveria e vendit duhet të tregojë se si synon t’i përmirësojë kapacitetet e saj për t’i realizuar ato investime që i ka paraparë në buxhet”, ka theksuar ai.

Mustafa konsideron se Kosova do të ketë një vit të humbur, sepse Qeverisë po i nevojiten dy vjet për t’i kryer punët që do të duhej përfunduar brenda një viti.

“I vetmi dallim është se punët që nuk janë përfunduar në vitin 2022, në vitin 2023 do të duhet të përfundohen me një kosto shumë më të lartë për buxhetin e shtetit për shkak të rritjes së çmimeve të materialeve ndërtimore, gjë e cila nënkupton humbje të parasë publike”, ka thënë ai.

Mustafa tha se praktika e ndërmarrjes së masave ekonomike nga Qeveria Kurti për të tentuar uljen e pakënaqësive sociale do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2023, meqë sipas tij, Qeveria ka ndarë 273 milionë euro pa destinim të caktuar, pra mjete që do t’ju lihen në dorë ministrave që t’i shpenzojnë sipas dëshirës se tyre.

Qeveria sipas tij, nuk ka buxhetuar mjete as për procesin e vettingut e as për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, nuk ka paraparë mjete për reformat në Policinë e Kosovës dhe freskimin e strukturës përmes pensionimit të parakohshëm dhe vërehet një shpërfillje e plotë e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare, e cila u miratua së fundi.

“Në shëndetësi, paradoksi është që buxhet po krijohet, por nuk ka ministër për planifikim dhe zbatim te këtij buxheti. Ministri është hartues i politikave, por nëse nuk është aty për ta bërë këtë, kush është duke bërë planifikimin e politikave për qytetarët tani kur ata kanë nevojë aq shumë për shërbime shëndetësore. Për sa u përket projekteve kapitale në këtë sektor, asnjë projekt nuk ka përfunduar në vitin 2022 e as parashihet të përfundojë në vitin 2023 e as në 2024. Ky është tregues i saktë që jo që nuk ka arritje deri më tani, por nuk do të ketë as deri në fund të mandatit të kësaj Qeverie – gjithnjë sipas këtij buxheti. Për projektet e mëdha që janë proklamuar në programin qeveritar, si sigurimet shëndetësore apo sistemi informativ shëndetësor nuk ka asnjë indikacion buxhetor që tregon seriozitet apo ambicie për t’i realizuar këto projekte”, shtoi ai.

Rritje të pagave prej 30 për qind me buxhetin e 2023-s ka kërkuar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kërkesë kjo që është përkrahur nga sindikatat e punëtorëve në sektorin publik në tryezën e organizuar nga kjo parti të mërkurën.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, u shpreh se në mes të dy leximeve të projektligjit për buxhet do të propozojnë amendamentimin për rritje të pagës në mënyrë lineare për 30 për qind nëse pajtohen edhe sindikatat.

Ndërkohë, Time Kadrijaj po nga ky subjekt politik, pohoi se kryesindikalistët nuk i kanë ftuar për të bërë politikë.

“Ne si deputet duhet të nxjerrim gjithë padrejtësitë që bëhen në sferën shoqërore dhe në këtë rast po shihet që qytetarët tanë do të jenë të rrezikuar me mosmiratimin e Ligjit të pagave dhe do të jenë të rrezikuar me paga të ulëta dhe inflacionin që është arritur në shifra enorme, që është padrejtësi dhe normal që ne si deputetë duhet t’i ngrehim këto shqetësime”, theksoi ajo.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj ka mbështetur idenë e AAK-së për ngritjen e pagës në mënyrë lineare për 30 për qind

“Kërkesa prej 30 për qind do t’i qetësonte gjakrat, do ta qetësonte situatën. Të punësuarit do ta kuptonin si mbështetje të këtyre institucioneve, sepse të mos harrojë qeveria se greva nuk është mbyllur, është pezulluar”, ka thënë ai.

Edhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës të Kosovës, Ali Gashi, e ka përshëndetur propozimin e AAK-së për rritje në mënyrë lineare të pagës për 30 për qind

“Ky është një mashtrim i radhës nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe për t’i vërë kapak është ky projektligj i buxhetit, ku rrjedhimisht në kontingjentin për implementimin apo rritjen eventuale të pagave nuk është përfshirë”, ka thënë ai.

Ndonëse e mirëpriti një propozim të tillë, udhëheqësi i Sindikatës së Policëve të Kosovës, Imer Zeqiri tha se propozimi i AAK është pak për pagat e policëve të Kosovës.

“Do të shkojë kjo në pagën bazë apo do të jetë në neto për arsye se e dini që paga bazë e një polici është 392 euro dhe për mendimin tim sa i përket Policisë së Kosovës kjo është pak, propozimi është shumë me vend”, tha ai.

Projektligji për buxhetin në vlerë prej 3.2 miliardë eurosh do të diskutohet të enjten në Kuvend.