Arbëri

Dorëheqjet në veri, shqyrtohet mundësia e transferimit të prokurorëve nga qytetet tjera

UD e kryeprokurorit te shtetit, Besim Kelmendi ne vizite ne Prokurorine Themelore te Mitrovices

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka thënë se do të shqyrtojë të gjitha mundësitë për t’iu adresuar çështjes së dorëheqjeve të prokurorëve dhe stafit administrativ nga komuniteti serb në veri.

Kelmendi gjatë takimit në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë tha se do të shqyrtohen gjitha mundësitë që ka në kompetencë të tij, përfshirë këtu edhe transferimin e jashtëzakonshëm të prokurorëve nga prokuroritë tjera.

“U.D. Kryeprokurori Kelmendi, u njoftua për së afërmi nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Ismet Ujkani, për veprimet e ndërmarra nga ai, gjendjen e krijuar, sfidat dhe nevojat e kësaj prokurorie në përballimin dhe tejkalimin e vështirësive që janë paraqitur pas situatës së fundit, ku së bashku diskutuan gjetjen e modaliteteve për vazhdimin dhe menaxhimin sa më të mirë të punës, veçmas të trajtimit të lëndëve me natyrë urgjente. Më këtë rast, U.D. Kryeprokurori i Shtetit, shqyrtoi të gjitha mundësitë për mbështetjen dhe ofrimin e ndihmës për këtë prokurori në bazë të kompetencave të tij, duke përfshirë edhe transferimin e jashtëzakonshëm të prokurorëve nga prokuroritë e tjera për mbarëvajtjen sa më efikase të punës në funksion të sundimit të ligjit”, thuhet në njoftimin nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.

E përfaqësuesit e Këshillit Prokuroria të Kosovës janë zotuar se do të ndërmarrin gjitha masat për sigurimin e kushteve të nevojshme që të funksionojë Prokuroria Themelore në Mitrovicë, e të mos ketë zbrazëti në procesin e punës.