Arbëri

Bajqinovci: Nëse Vuçiqi do ta dërgonte Kosovën në zgjedhje, VV-ja do t’i fitonte rreth 60%

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka thënë se nëse presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, do të kishte fuqi që me situatën e krijuar në veri, ta dërgonte Kosovën në zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje, do të arrinte t’i fitojë rreth 60 për qind të votave.

I ftuar të mërkurën në emisionin “Sonte me Rronin” në KTV, Bajqinovci ka thënë se beson që një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

“Vendi nuk shkon në zgjedhje sepse nuk e kanë fuqinë dhe mundësinë. Nëse Vuçiqi e ka atë fuqi ta çojë Kosovën në zgjedhje, vaj halli për ne. Nëse Vuçiqi e ka atë fuqi ta dërgojë Kosovën në zgjedhje, është mirë të mos tregojë se sa do të jetë përqindja që do ta fitojë Lëvizja Vetëvendosje, do të shkonte afër 60 për qind”, ka thënë ai.

Ai ka komentuar edhe mbi akuzat, kryesisht nga partitë opozitare në vend, se kryeministri Albin Kurti, po i prishë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas Bajqinovcit, nuk është vendimi i parë i Qeverisë që ka pasur reagime nga SHBA-ja dhe vendet e QUINT-it. Megjithatë ai thotë se krahas reagimeve për vendime të caktuara, këto vende kanë theksuar se Kosova është vend sovran dhe ka të drejtë të marrë vendime për territorin e saj.

“Nuk është vendimi i parë i Qeverisë së Kosovës që ka pasur reagime nga SHBA-ja dhe QUINT-i. Kemi pasur reagim të QUINT-it për rastin e zgjedhjeve, referendumit, edhe për rastin e dokumentacionit kur u bë bllokada e madhe e rrugës në Mitrovicën e Veriut. Kemi pasur edhe deklaratat e dyta të shteteve mike që kanë thënë se Kosova është vend sovran dhe ka të drejtë të marrë vendime për vete”, ka thënë ai.

Bajqinovci e ka cilësuar si çështje interesante se si kur kryeministri Kurti ka “qëndrime të forta karshi Serbisë”, përmendet fraza “po tenton t’i prishë marrëdhëniet me Amerikën”.

“Qëndrimet karshi Serbisë për moskompromise të dhimbshme nuk janë qëndrime anti-amerikane. Opozita po tenton gjithmonë që në opinionin publik ta paraqesë si anti-amerikan, ne po bëjmë punën tonë dhe nuk po bëjmë kompromise të cilat janë shumë të dëmshme për Republikën tonë. Vendimet e Qeverisë së Kosovës janë sovrane, por opozita po tenton që të sjellë një lloj pasigurie që kinse kryeministri Kurti, Lëvizja Vetëvendosje e Qeveria e Kosovës po tenton t’i prishë marrëdhëniet me Amerikën, kjo nuk qëndron. Është deklaratë e pavend dhe e pamend nga opozita”, ka thënë ai.

Sa i përket largimit të zyrtarëve serbë nga institucionet e Kosovës, Bajqinovci vlerëson se të njëjtit nuk duhet të kthehen në pozitat që kanë pasur.

“Mendoj se këta nuk duhet të kthehen, andaj duhet të hapet konkurs të vijnë policët nga të gjitha anët e Kosovës të minoritetit serb dhe minoriteteve të tjera dhe të vendosen nëpër stacione. Një zyrtare në kushte anonimiteti thotë se përmes presionit të bandave kriminale të Vuçiqit, i kemi nënshkruar këto dorëheqje. Policia kanë qenë shumë lojal, por prokurorët dhe gjyqtarët kanë pasur presion”, ka thënë ai.

Ai i ka përgënjeshtruar edhe raportimet se zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës nuk kanë marrë viza për vizita në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Sonte doli një lajm i pavërtetë që kinse zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës nuk e kanë marrë vizën. P.Sh ministrja e Drejtësisë, e ka vizën e SHBA-së por për arsye të situatës së krijuar e kanë anuluar një takim. Është e pavërtetë që zyrtarët tanë nuk e kanë vizën. Është shtyrë për shkak të situatës se si është. Unë e pyeta ministren Haxhiu se a i është anuluar viza, tha se është e pavërtetë. Ajo e ka vizën, gjithashtu edhe unë e kam”, ka thënë ai.