Arbëri

Mehaj takon ekipin këshillues të NATO-s: Veprimet e Serbisë duhet dënuar

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka takuar oficerë të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT) dhe atashetë e mbrojtjes lidhur me situatën aktuale politike në vend, rajon dhe më gjerë.

Megjithatë, rëndësi në diskutim i është dhënë çështjes së sigurisë në veri të vendit pas zhvillimeve të fundit.

Mehaj referuar zhvillimeve në veri, ka thënë se ato vijnë për shkak të dezinformatave të vazhdueshme nga Beogradi.

“Sigurisht theks të veçantë kishte çështja e sigurisë pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit, të cilat vijnë si rezultat i dezinformatave të vazhdueshme të Beogradit zyrtar, luftës hibride me qëllim destabilizimin e vendit, dhe përdorimit të metodave të ndryshme të kërcënimit të pjesëtarëve të komunitetit serb për largim nga institucionet e Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.

Mehaj ka theksuar se ngritja e kapaciteteve të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën tregon tendencat armiqësore.

“Ngritja e kapaciteteve ushtarake të Serbisë përgjatë kufirit me Republikën e Kosovës shpërfaq tendencat e një shteti armiqësor, që përveçse nuk dënon, përkrah e përdor metodat e agresorit rus, gjë që bie ndesh me normat dhe vlerat demokratike të cilat Republika e Kosovës si shtet evropian përqafon dhe mbron”.

Mehaj ka thënë se “veprimet e shtetit serb duhet dënuar nga çdo shtet evropian dhe më gjerë”.

Ndërkohë, ka shtuar se KFOR-i po tregon gatishmëri të jashtëzakonshme për të bashkëpunuar me Policinë e Kosovës në ruajtjen e qetësisë, sigurisë dhe stabilitetit në veri të vendit.